Në brendësi të shtetit rus, një agjent po punon kundër Vladimir Putinit. Oficeri i FSB-së, me nofkën “Wind of Change” (Era e Ndryshimit), shkruan raporte të rregullta duke zbuluar të vërtetën për barbarizmin që po kryhet në emër të Rusisë. Zbulimet nga brenda duhej të ndaheshin me Perëndimin.
Mua mu caktua detyra e përkthimit të tyre. Në fillim të marsit, kur sapo kishte nisur pushtimi rus i Ukrainës, unë pashë një postim në Facebook nga disidenti rus në mërgim Vladimir Osechkin. Ai kishte marrë një e–mail në rusisht nga një burim brenda agjencisë ruse të inteligjencës, FSB, që shprehte zemërimin dhe pakënaqësinë që vlonte brenda agjencisë lidhur me pushtimin.
Letra ishte shumë personale. Ekzistenca e burimit ishte vërtetuar si autentike, për aq sa ishte e mundur, nga gazetari i njohur investigativ i portalit Bellingcat, Christo Grozev. Më 5 mars, duke iu referuar letrës së parë të agjentit të FSB-së, Grozev deklaroi: “Ua tregova letrën dy burimeve të mia aktuale në FSB-së, dhe ata nuk kishin dyshim se ajo ishte shkruar nga një koleg i tyre”.
Siç u bë e qartë, shkruesi i letrave është mbi të gjitha një patriot rus, që nuk mund të durojë tmerret që po kryejnë Putini dhe Kremlini, si kundër popullit rus, po ashtu edhe kundër kombit sovran të Ukrainës. Vendosa ta përkthej në anglisht këtë e-mail të parë të marrë nga Osechkin, për të shpërndarë informacionin e rëndësishëm që përmbante.
Brenda pak ditësh, përkthimi im tërhoqi vëmendjen e miliona njerëzve, duke përfshirë zyrtarë qeveritarë, parlamentarë dhe diplomatë dhe ish-diplomatë. Osechkin dhe unë vendosën një kontakt të drejtpërdrejtë dhe nisëm një bashkëpunim aktiv. Gjatë çdo letre, “Wind of Change”; përsërit disa elementë thelbësorë.
Së pari, Putini është i bindur se, pavarësisht se çfarë do të bëjë në Ukrainë, Perëndimi nuk do të përgjigjet ushtarakisht. Letrat e agjentit të FBS zbulojnë se ushtria ruse e ka planifikuar ofensivën e saj mbi këtë bazë.
Së dyti, shantazhi bërthamor i Putinit do të mbetet vetëm i tillë. Kremlini as nuk do të fillojë dhe as nuk do të kundërpërgjigjet me një luftë bërthamore. Analiza që bën agjenti në letrat e tij, sugjeron se zinxhiri komandues i Kremlinit do të bllokonte çdo dëshirë të Putinit për të shtypur butonin e kuq të armëve bërthamore.
Ky pohim, së bashku me dyshimet e dukshme brenda FSB-së mbi efektivitetin e arsenalit bërthamor të Rusisë, sugjeron se Rusia nuk është dhe aq e lumtur me mundësinë e një lufte bërthamore siç kishte frikë fillimisht Perëndimi. Unë besoj se këto letrat e kanë ndihmuar Perëndimin të jetë i vendosur për të qëndruar përkrah Ukrainës.
Ndikimi më i madh i letrave të “Wind of Change” erdhi më 1 prill. Osechkin mori fragmente informacioni nga burime të ndryshme brenda aparatit të sigurisë ruse në lidhje me një operacion të FSB-së të urdhëruar nga Putini që do të ndodhte në Evropë në kohë reale.
Një ditë më parë, shumë agjentë të FSB-së u dërguan për të dëmtuar Evropën, dhe për të transferuar 10 miliardë dollarë të aseteve të Gazprom tek kompanitë guaska të sapoformuara që i përkisnin mafias së Putinit. Osechkin e detajoi të gjithë informacionin, duke përfshirë vendndodhje specifike që kishin vizituar agjentët e FSB-së dhe emrat e kompanive guaskë, dhe i bëri publike.
Përkthimi nga ana ime i asaj letre tërhoqi menjëherë vëmendjen. Vetëm pak ditë më vonë, qeveria gjermane njoftoi se ishin sekuestruar miliarda dollarë nga asetet e “Gazprom” në vend. Arsyeja zyrtare e dhënë për këtë veprim të paprecedentë të qeverisë? “Pronësia e paqartë”, ashtu siç e kishim detajuar në raportin tonë bombastik.
Natyrisht Moska reagoi me një përshkallëzim të menjëhershëm të luftës. E gjithë historia nuk mund të rrëfehet, por njerëzit më të rrezikuar u detyruan të iknin nga Rusia. Gomat e makinës së gruas së Osechkin u çanë në mes të natës në një parking në Francë, pavarësisht se familja e tij jetonte nën mbrojtjen aktive të autoritete të sigurisë.
Po ashtu nisi të shtohej edhe rreziku për vetë agjentin informator të FSB. Menjëherë pas botimit të letrave të para, FSB filloi ta gjente me ngulm se cili ishte. Individëve të ndryshëm dhe departamenteve të FSB-së iu dha enkas informacion i rremë, në një përpjekje për ta gjurmuar atë.
Kremlini nisi në internet një fushatë të madhe keqinformimi, në përpjekje për të diskredituar letrat e agjentit të FSB-së. Në muajt mars dhe prill u kryen bastisje të shumta, marrje në pyetje dhe ndalime nga policia. Të gjitha përpjekjet e tyre dështuan. Unë jam i lumtur të raportoj se edhe sot e kësaj dite, “Era e Ndryshimit” ka vazhduar t’u shmanget “gjuetarëve” të tij.
Deri më 21 gusht, 29 letra të tjera të tij janë përkthyer dhe botuar në anglisht. 13 nga e-mailet erdhën vetëm në mars, të nxitura nga vëmendja e madhe që mori përkthimi i parë në anglisht. Por ka shumë më tepër për të bërë. Ndërsa ka dështuar pjesa më e madhe e propagandës së Moskës ndaj Perëndimit, Kremlini ka qenë i suksesshëm në shpërndarjen dhe përforcimin e keq–informatave më kritike.
Sondazhet tregojnë mbështetje dërrmuese të rusëve për Putinin dhe pushtimin e Ukrainës.
Natyrisht një sondazh në një gjendje terrori autoritar është në përgjithësi i padobishëm. Në realitet, vlerësimi më i mirë që kemi, dhe ai është i qëndrueshëm në të gjithë Rusinë – qoftë në zonat rurale apo urbane – është se rreth 10 për qind e rusëve janë mbështetës të fortë të Putinit dhe luftës së tij “nga komoditeti i divanit të tyre”.
Por shumica dërrmuese nuk e mbështet regjimin apo pushtimin. Vështirë së dikush është i gatshëm të rrezikojë jetën e tij për ëndrrën imperialiste të Putinit. Ushtria, madje edhe parashutistët elitë të VDV-së po përdorin tani rekrutimin e të burgosurve.
Nëse mbështetja e pretenduar në sondazhe do të ishte reale, nuk do të kishte mungesë vullnetarësh, sidomos kur regjimi ofron për kontratat ushtarake një pagë 10-20 herë më të lartë sesa paga e zakonshme mujore. Demonizimi i të gjithë popullit rus, dhe dështimi për të bërë një dallimin midis shtetit dhe qytetarëve të tij, mund dhe do të çojë në pasoja katastrofike për të gjithë botën dhe për 144 milionë rusët.
Në vend që të flasim për gjetjen e një “rrugëdaljeje” për Putinin, ne duhet të flasim për gjetjen e një rrugëdaljeje nga kjo situatë për popullin rus. Ne duhet të ndalim së cilësuar të gjithë rusët si përbindësha, edhe pse jo pak ushtarë rusë po kryejnë mizori të papërshkrueshme.
Ne duhet t’i fuqizojmë qytetarët rusë, të jemi solidarë me ta, t’u japim shpresë dhe mbi të gjitha të përpiqemi t’i kuptojmë. Kjo është e dhimbshme. E them këtë pasi familja ime në Kharkiv dhe qytete të tjera përreth Ukrainës, po bombardohen nga regjimi terrorist i Putinit. Shtëpia e stërgjyshes sime, e ndërtuar me dorë nga familja ime një shekull më parë, u bombardua në Lyman. Unë kam familjarët të mi që jetojnë nga Odessa në Donetsk dhe deri në Kiev.
Unë e di që në Perëndim ka tashmë një konsensus se populli rus është i pashpresë. Por mediat perëndimore dhe politikanët duhet të jenë në krye të misionit të edukimit të tyre dhe të popullatës sonë mbi Rusinë si një shoqëri, dhe me realitetet e përditshme që përballen me njerëzit e zakonshëm nën grushtin e rëndë të Putinit.
Me siguri që duhet të jetë e qartë se shumica dërrmuese e njerëzve në çdo vend janë normalë dhe dinjitozë? Letrat e agjentit të FSB-së janë një kujtesë e burracakërisë dhe ligësisë së Putinit, por edhe e guximit të atyre që e kundërshtojnë atë.