Çmimi i energjisë është “taksë” për shtresën e mesme!

3 Minuta Lexim
Endri Shabani
Në kohë krize kërkohet solidaritet, dhe nevojitet ndihma e shtetit, por Rama ka zgjedhur një strategji tjetër.
Nga njëra anë, përpiqet të përfitojë edhe në kohë krize. Që në fillim të këtij viti, qeveria ka mbledhur nga shqiptarët më shumë se 400 milionë euro shtesë nëpërmjet taksave. Parà të cilat ia merr shqiptareve dhe ua jep si ndihmë ekonomike oligarkëve.
Kështu po bëhet edhe me rritjen e çmimit të energjisë, ku rritjen e çmimit do ta paguajnë shqiptarët e zakonshëm, ndërkohë që abuzimi me pasurinë e shqiptarëve do të vazhdojë.
Ne besojmë se një vend me rezerva të pafundme hidrike, dhe që prodhon aq energji sa i duhet për nevojat e veta, nuk duhet të ndikohet nga rritja e çmimit të energjisë në botë. Por kjo qeveri me sa duket nuk ngopet, dhe do të vazhdojë të fusë edhe më thellë dorën në xhepin e shqiptarëve.
Nga ana tjetër, Rama po perpiqet të nxisë konflikt social mes shqiptareve. Me një gjuhë që të kujton luftën e klasave, doli dhe na tha se rritjen e çmimit të energjisë do ta paguajnë vetëm ata që kanë vaska dhe pishina. Por në fakt nuk është kështu. Shiko faturat e energjisë dhe do shohësh që rritja do jetë shumë e lartë edhe për ata që kanë lavastovilje dhe kondicioner, në një vend ku elektriciteti plotëson të gjitha nevojat bazë, pasi gazi kalon vetëm tranzit për në Evropë.
Ne besojmë që kjo rritje është një “taksë” e re ndaj shtresës së mesme. Por askush nuk është i sigurtë, pasi përmes lojërave me faturimin, çmimin e ri të energjisë mund ta vuajnë edhe ata të cilët qeveria thotë se i ka marrë në mbrojtje.
Prandaj sot nuk është koha për t’u futur në një luftë të re klasash, për të identifikuar kulaket që fshihin lopën apo mikro-borgjezët që ftohen me kondicioner. Sot është koha për t’u bërë bashkë dhe për të penguar vjedhjen që i bëhet këtij populli prej më shumë se tre dekadash.
Sepse ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull