Nga Aleksander Cipa
Fatkeqësia jonë nuk mbetet thjesht dhe vetëm tek zvarritja shoqërore, por tek zhytja e shoqërisë në vanitet dhe frustrim. Një shoqëri që mbetet gjatë tek ankesa dhe vetëm ankimi, është fatkeqe. Atë e nxjerrin prej këtij fati të keq ku vetëbie apo e imponojnë të bjerë, kapacitetet e saj që janë dhe sidomos ato që shfaqen me gjeneratat e reja.
Në krizën me shumë shtresa dhe faktorë, shoqëria aktuale e vendit shfaq përditë e më tepër , pikërisht krizën e mungesës së përfaqësimit përmes gjeneratës së re, përmes kapaciteteve të reja. Aktualisht këto kapacitete intelektuale, të ekspertizës dhe mendimtarisë së re, në shoqërinë tonë janë të munguara, të mërguara, të tërhequra dhe marifetisht të penguara.
Kapacitetet më potenciale dhe të investuara parasëgjithash prej qindra e pse jo edhe mijëra familjeve tona, kanë kohë që janë bërë të munguar dhe të mërguar. Disa qindra të tjerë janë rekrutuar dhe financuar nga shtete dhe vende të ndryshme në BE e në SHBA. Të tjerët që mund të gjenden në atdhe ose janë zhytur në heshtje, ose përballen me fatin ditor të vetvetes, fëmijëve dhe familjes, ose përpëliten në gjendjen e tyre depressive për shkak të mos përshtatjes me këtë sistem që nuk është system, me këtë treg që nuk bëhet kurrë treg, me këtë shoqëri që mbetet substancialisht në funksionimin e vet si parashoqëri.
Të paktët që janë në betejën publike të artikulimit dhe debatit, po kacafyten lodhshëm me padëgjueshmërinë publike dhe institucionale, rëndom dhe matanë fajit të tyre bien në humbje të sensit të masës dhe vijojnë si në kotësinë dëshpëruese betejën si të pakënaqur dhe ankimtarë të frustruar.
Fati i shoqërisë në këtë vend nuk lëviz, pra, nuk ndryshon. Përkundrazi, po bëhet edhe më kritik. Ndërsa realiteti i brendshëm i kësaj shoqërie dhe vendit është i mbarsur me dilema të mëdha dhe pësime e kosto të rënda. Këto kosto është e vështirë të llogariten se deri ku dhe kur na e shtojnë si pësim rëndesën e tyre.
Shpresa për të ndryshuar apo për të qenë me kah përputhës me sistemin e demokracisë dhe meritokracisë, duket se po zvogëlohet në masë fatale. Shumëçka Brenda saj po lihet të bjerë në rënie të lirë.
Ky vend e ka të bllokuar si në paralizë të plotë demokracinë. Zërat apelues dhe sidomos mendjet ringritëse apo shpëtuese të saj na mungojnë si kurrë ndonjëherë. Ndoshta nuk mungojnë si ekzistencë, por janë të munguar si funksionim dhe detyrëbërës. Shterpësia intelektuale në vend imponohet prej regjimit të zhurmës, regjimit të kapjeve, regjimit të përdhosjes dhe kënetësisë në hapësirën e llumtë të megamundësisë komunikuese. Kjo shterpësi na imponohet si e tillë, pikërisht se është shembur gjithë kujdesi dhe përgjegjësia institucionale e shoqërisë për të qenë ajo në funksionet e saj. Janë grirë e ndryshkur deri në rënie, të gjitha shtyllat e shëndetit moral dhe është banalizuar krejt ushqimi shoqëror për këtë mundësi. Kryendotësja e ndërgjegjes dhe e strukturës së shoqërisë është fatkeqësisht ajo që prej tri dekadash ka përgjegjësinë e të qenit administratore, pra klasa si kastë a klikë, a…,, mund të gjejmë fjalë të tjera sinonimike për karakterizimin e saj.
Ky realitet ka për bërthamë të krizës pikërisht trazimin dramatic të së mirës me të keqen, të së shkuarës me të nesërmen, të shpresës me depresionin dhe të besimit me mosbesimin.
I vetmi besim që madhohet është mosbesimi, tek askush.
Ky regjim mosbesimi fatkeqësisht po shëndoshet edhe për një arsye madhore. Në horizontin e afërt të zhvillimeve politike në vend janë rikthyer demonët e tranzicionit. Kemi riardhur në mëshirën dhe falangat penguese, në duart dhe mekanizmat e demonëve të vjetër të tranzicionit jo të plakur, të demonëve të lodhur, të konsumuar, të dalë kohe në gjithë kuptimësitë e fjalës, por ende petoencialë dhe lakmues.
Kjo shoqëri është në apoteozë të thellë. Nuk ka shenja dhe nuk po shfaqen kapacitete për kapërcim të kësaj statusquoje të një grupi njerëzish që nuk janë thjesht klikë.
Përgjatë kësaj kohe të përdhosjes së brendshme të shoqërisë sonë, janë krijuar dy gjendje: Kjo e statusquosë së demonëve dhe ajo e shembjes së dallesës mes së mirës dhe së keqes, ose asaj që duhej të mbërrinim dhe kësaj që duhet të shpornim. Kjo e dyta është më shumë se fatkeqësi: zhytje në një realitet prej të cilit vështirë se dilet lehtësisht dhe pa një ndërhyrje kirurgjikale shumëplanëshe.
Vendi është në mëshirë të mendësisë, kapaciteteve, forcës dhe dritëshkurtësisë së nënmediokritetit. Është i kapur me ganxhat dhe regjimin e këtij sistemi fatal dhe zezues.
Zërat publikë për kryengritje ndaj këtij regjimi janë zërat demoniakë të tranzicionit, janë epitoma e sistemit pa system të demokracisë hibride ose sistemit të penguar. Mbështetësit e tyre, mes të cilëve janë shumë idealistë dhe besimtarë, janë fragmentarë, vetanakë, të padëgjueshëm dhe në pazotësinë për të fituar bashkim apo krijuar bashkësinë që ndahet nga pjesa e madhe që jeton e mbretëron në llumhane.
Demonët e tranzicionit po rikthejnë makinën e madhe të konstatimeve, denoncimeve dhe të dhunës së pakufishme verbale. Të gjitha mekanizmat e tjera, kryesisht ato të shtetit dhe institucionalizmit bien nën stepjen dhe tulatjen e zhurmës së kësaj makine politike që të krijon asosacionin e makinave të rënda të periudhës sovjetike që më shumë se kuajfuqi, gjeneronin zhurmë buçitje motorike e ndotje bloze të mjedisit. Makinat e partitokracisë në këtë vend kanë rikthyer pikërisht këtë funksion bloz-ues në hapësirën dhe jetën publike të shoqërisë. Të gjitha reformat e pretenduara se janë kryer prej këtyre protagonistëve në të shkuarën, po vetëzhvleftësohen prej tyre dhe po ripremtohen po prej tyre. Në këtë fat xhirues projektojnë rotacionin dhe ripremtojnë rrëzimin e ortakëve të tyre armiq.
Në masën e madhe të qytetarëve, dëshpërimi dhe trishtimi, brenga në ikje dhe mallkimi për riardhje, të vetmen portë tejkaluese mund ta gjejë kur kapërcen dhe dërgon në theqafje demonët e fuqishëm dhe të kalbur të tranzicionit. Këta lakmitarë të pangopur që copëtojnë parreshtur të mirën publike, vetëm për përfitime personale dhe tributë e tyre moderne, duhen kapërcyer me “lindjen e së resë” dhe rikthimin e së drejtës publike. Shembja e demonëve të tranzicionit ala shqiptar nis me heqjen nga duart e tyre me kthetra, të shtetit dhe ligjit, me shfaqjen sa më parë të trimërisë së munguar të prokurorit dhe gjykatësit dhe të nisjes ndërtuese të ndërgjegjes së duhur publike e shoqërore. Të gjitha llojet e ndërtimeve të tjera me beton dhe hekur, janë mashtrim i ndërgjegjshëm dhe pazar kanceroz për mospasje ndërgjegjeje në krejt shoqërinë. Demonët e tranzicionit kanë për gjuhë publike ndotjen dhe për ndërgjegje vrasjen e shtetit.