Sejmen Gjokoli Nga cikli “Visare trashëgimie”
Me këngëtaren e Bolenës e Lapardhasë, Fatbardha Hosi Brahimaj
Kur autobuzat me grupet e përzgjedhura me këngët dhe vallet më të mira të festivalit do të merrnin udhën drejt kryeqytetit për koncertin që tradicionalisht pas mbylljes së atij në kala mbahej në kryeqytet, në njërin prej tyre, atë që mbarte përfaqësuesit e Vlorës, do të ishte edhe një vajzë e brishtë nga Bolena.
Fatbardha Hosi, atë kohë vetëm nëntëmbëdhjetë vjeçare, kishte interpretuar një monofoni labërishte grash nga ku kishte befasuar jo vetëm publikun që mbushte Kalanë e Gjirokastrës por edhe jurinë profesionale e cila nuk hezitoi ta listonte ndër më të mirat performanca të atij edicioni kombëtar të vjeshtës së vitit 1988.
Me shtatë këngë e një monofoni ja kishte behur Nertesi Asllani, rapsodi e njëhërësh përgjegjësi i kulturës së kohës në takimin konkurues të rrethit ndërkohë që komisioni përzgjedhës vetëm monofonisë nuk i rezistoi.
Edhe pse ishte një kohë kur grupi i Bolenës kishte arritur në maja kënge, përzgjedhja e një prej zërave më të rinj të fshatit sikur ua davariti “pse”-në që i mundonte disa vite me radhë.
Në fund të fundit Nertesi Asllani, ky djalë i ri që sa kishte dalë e guxonte të “hahej” me emra të mëdhenj të folklorit të Lumit të Vlorës e Bregut të detit, me Fatbardha Hosin po realizonte një ëndërr të madhe.
Atë kohë kalaja e Gjirokastrës mbetej i vetmi sheshmejdan ku kruanin “brirët” të mëdhenjtë e folklorit shqiptar: si bartës e interpretues, si krijues e organizatorë.
Po kush ishte kjo vajzë e brishtë që ngriti në këmbë Kalanë me vëtëm tre apo katër vargje të tëra, kënduar si ninullë djepi:
Llaj, llaj e nina, nina,
Rritu se të pret martina,
Ti thuash armikut, prina,
Llaj, llaj e nina, nina…
Gati rrënqethëse, mahnitëse e gati e pa besueshme se si një vajzë fare e re mund të realizojë deri në përsosmëri një ligjërim të tillë homofonik, me aq shumë dhimbje e brengë por njëkohësisht me aq gëzim e dashur jete ti këndojë birit të vet të sapo lindur.
Në atë Kala, në të tjerë festivale më parë, Vlora kishte shpurë edhe borroitjen monofonike të Zeqo Hoxhës, edhe ninullën e Evgjeni Jonuzit, të dy vlera të mëdha shpirtërore të Kallaratit, po Bardha Hosi ninullës së Labërisë i dha një tjetër shkëlqim autenticiteti.
Vinte nga një vatër e një fshat kënge të dëgjuar ku, përveç këngëve bolençe të Hysni Ymerit regjistruar shumë vite të shkuara në radio Tirana tani, me Nertesi Asllanin në krye, po arrinin majën e tyre të këngës.
Ishte ende në shkollën e mesme, më saktë në vitin e fundit të saj kur me grupin e fshatit në radio Gjirokastra do të regjistronin një dyzinë këngësh, katër apo pesë prej të cilave do kishin për marrëse Fatbardha Hosin, përkrahë të motrës Vitori.
Pikërisht në këtë kohë do të merrte udhë edhe një nga këngët më të bukura lirike të Labërisë, “Çoban ta dëgjova zënë”, e cila vjen përmes një kombinacioni brilant të kthyesit Toto Zeneli me një nga hedhësit më të veçantë të këngës labe , Lavdosh Begaj.
Por Bardha do të shquhej edhe më herët, ishte nxënëse në shkollën e mesme të Kuçit kur gjatë një aktiviteti, një nga emrat e mëdhenj të trashëgimisë e kulturës vlonjate Haxhi Dalipi do ta takonte nga afër duke e nxitur të mos i ndahej këngës.
Dhe ashtu ndodhi. Fare pak vite kaluan nga ajo ditë kur muzikologu i shquar, tani në krye të grupit përzgjedhës, aty në skenën e pallatit të Kulturës të qytetit, i mrekulluar nga ninulla e bolenases së vogël do ti thoshte të bënte gati “çantën” për në Gjirokastër.
E rritur me këngën, në një familje këge me katër motra e tre vëllezër, të gjithë fëmijët e Hekuran Hosit bëheshin një grup polifonik më vehte.
Aq e vërtetë kjo sa vite më pas do të krijonin edhe të parin grup familjar me emrin e një prej burrave emërmadh të këtij fshati, Toto Hosi.
Ky ishte “laboratori” i parë ku Bardha nisi të krijonte fizionominë e saj si një këngëtare me theks e vokal të dallueshëm sa epik po aq edhe lirik.
Po duket se ninulla do të ishte një ogur i mirë e do bëhej përcaktuese në rrugën e më pasme të polifones nga Lumi i Vlorës..
Përfshirja në grupin përfaqësues të Vlorës gjatë turneut të Francës në vitin 1989, menjëherë mbas festivalit kombëtar të Gjirokastrës, jo vetëm që do ta lidhte edhe më shumë me disa nga korifejtë të këngës dhe valles së Labërisë e Bregut të detit por do ti krijonte edhe rastin e parë për të kontaktuar e njohur nga afër folkloristë të mëdhenj europianë.
Zhan Roshe, një nga emrat e mëdhenj të folklorit frances por edhe një njohës e dashamirës i madh i polifonisë shqiptarë do ta takonte e do ta dëgjonte edhe një herë nga afër interpretimin e saj, duke mos e fshehur mrekullinë që po përjetonte.
Akoma i ka në sy e në vesh duartokitjet frenetike të publikut francez në fund të përformancës po edhe një tufë me lule të personalizuar që njeri prej tyre do t’ja dhuronte në skenë.
Por ndryshe nga jeta e shumë këngëtarëve me emër të Labërisë, Fatbardha Hosi përbën një rast të rrallë edhe në krijimin e familjes së saj kur nga një familje e fshat kënge si bijë ajo bëhet pjesë e një familjeje e një fshati tjetër të njohur edhe më shumë për këngën e tyre.
Si nuse në familjen e rapsodit dhe krijuesit të madh të Labërisë Feti Brahimi, ajo tani do të bëhet pjesë e pa ndashme e një grupi nga më të njohurit e më virtuozët ndër trevat e Labërisë, grupin e famshëm të Lapardhasë.
Është koha kur Feti Brahimi, krijuesi e drejtuesi mjeshtëror i këtij grupi do të bëhej me krahë jo vetëm për nusen e shtëpisë por edhe për plotësimin e grupit të tij të zemrës jo vetëm me një element të munguar femëror në përbërje por, mbi të gjitha, me një vokal të spikatur të një prej këngëtareve më ekspresive të kohës.
Këtu Fatbardha nuk do të ndryshonte vetëm mbiemrin por edhe vetë natyrën e interpretimit drejt baladës apo këngëve me një karakter më epik, krahas lirizmit të injektuar më herët nga Asllani i Bolenës së saj.
Tani i duhet të intergrohet në një grup polifonik që mban mbi supe realizimin e disa prej këngëve më perla të iso-polifonisë shqiptare, si “Janinës ç’i panë sytë”, “Legjenda e Tanës”, “Legjenda e urës”, etj.
Me Nazif Çelën, Golik Likën, Meleq Çelën e të tjerë, Fatbardha do të nis një rrugëtim që do të shënojë edhe disa prej kulmeve të këngëve të repertorit të saj në gati tri dekada e gjysmë veprimtari.
Këngë të tilla si “Pse ky komb i merakosur”, “Mu thanë sytë , mu thanë”, “Pse qëndis moj Marigo”, “Bletëza puntore” e të tjera vijnë si rezultat i punës në laboratorin krujues të Feti Brahimit dhe të të pagëzuarve “violina” të Lapardhasë.
Në këtë grup këngët e kurbetit, baladat e legjendat me tematikë të drejtpërdrejtë epike e historike janë në ujrat e veta, të prera si për këngëtaren, tani nuse lapardhaje.
Këtu vokali i saj jo vetëm do të marrë dimensione më të përhapura kombëtare por edhe do të ndërkombëtarizohet në mjaft shtete europiane, falë disa prej këngëve të regjistruara në Paris në një nga radiot e kryeqytetit farnces.
Pikërisht duke dëgjuar kolonën zanore të një prej këngëve të Fatbardhës, regjisoria hollandeze Corrina Manara i hapi një tjetër shteg magjisë interpretuese të këngëtares labe.
Regjisorja holandeze duke kërkuar muzikë ballkanase për të shoqëruar pjesën teatrore që kishte ideuar të vinte në skenë u shtang përpara magjisë dhe mrekullisë që arrinin të bënin një grup labërish të mbledhur bashkë.
Duket gati e pa besueshme kur mëson se për gati një muaj një grup i vogël i Lapardhasë me Fatbardhën, Nazifin, Manushin po edhe vetë rapsodin e drejtuesin e tyre Fetiun do të qendronin në kryeqytetin holandez si pjesë e trupës teatrore gjatë vënies në skenë të tragjedisë së Sofolkiut, “Elektara”.
Rreth një orë e tridhjetë minuta i është dashur Fatbardhës së bashku me grupin të shoqërojnë me zërin e tyre përmes ninullash, homofonish e këngësh baladeske të gjithë lojën e përsonazheve dhe tërë ngjarjen në skenë.
Kështu për trembëdhetë shfaqie në Hollandë, në festivalin “Vera e Ohrit”, në Ohër, në festivalin e Butrintit po edhe në shumë shfaqie të tjera, Elektra e Sofokliut, për të parën herë këndoi shqip
Falë fuqisë dhe mrekullisë së iso-polifonisë shqipatre por edhe aftësive vokale e interpretuese të këngëtares Fatbardha Brahimaj, polifonët shqiptërë zëvëndësuan korin antik të tragjedisë së përbotshme greke.
Po teatri hollandez nuk është eksperienca e vetme për Fatbardhën, si këngëtare e interpretuese viruoze. Bashkëpunime të tjera me trupa teatrore, baleti e orkestra simfonike ka patur rastin të ketë edhe në Itali, Gjermani e Greqi ku zëri i saj krejt i veçantë, plot finesë e forcë, krijon përherë një stuhi polifonike ku të rrëmben brënda vehtes si me një forcë magjike.
Ja pse labëresha e këngës labe, “Mjeshtre e madhe”, Fatbardha Hosi Brahimaj, mbetet nga këngëtaret më të mëdha epiko-lirike në këngën me iso të Labërisë po edhe trevave të tjera shqiptare që këndojnë me iso.