Nga FEDERICO FUBINI
Francis Fukuyama ka ndjekur kthesën e Vladimir Putinit në një ditë të veçantë: politologu I shquar I Stanfordit merr pjesë në Budapest Forum, ngjarja e Political Capital Institute dhe Central European University që mbledh kritikët e brëndshëm e ndërkombëtarë të Viktor Orbánit.
Francis Fukuyama, 69 vjeç, jep mësim në Universitetin e Stanfordit.
Profesor, Putini duket në vështirësi. Çfarë është në lojë për Evropën nëse diktatori fiton ose humbet në Ukrainë?
Në lojë nuk është vetëm fati I Ukrainës, ndërlikimet për Evropën janë me të vërtetë të mëdha. Çështja është të vendoset se cila është forma zotëruese e qeverisë në botë . Së bashku me udhëheqësin kinez Xi Jinping, Putini prej disa vitesh thotë se demokracia liberale është e vjetëruar. E ka thënë më 2019, duke shpjeguar se demokracitë liberale nuk janë t’efektëshme në marrjen e vendimeve e në kryerjen e gjërave të mëdha për popujt e tyre. Pra një dështim në përmasat e asaj në të cilën jemi të pranishëm minon krejtësisht mesazhin e tij”.
Me çfarë pasojash?
“Shumë drejtues populistë – Orbán, Marine Le Pen, Donald Trump, Eric Zemmour, Vox në Spanjë – shprehin admirim për Putinin. Jo mbi baza ideologjike, por sepse ka këtë çehre të burrit të fuqishëm që bën të ndodhin gjërat. Edhe udhëheqësit populistë në Perëndim dëshërojnë një pozitë të tillë: nuk do të dëshironin të jenë të kontrolluar nga mediat, nga parlamentet, nga gjykatat dhe nga institucionet e tjera që janë zëmra e demokracisë liberale. Por nëse tani del se pikërisht autoritarizmi ka lehtësuar një nga dështimet më të mëdha të dhjetëvjeçarëve të fundit, atëherë kjo joshje bëhet shumë më pak e fuqishme”.
Si e vlerëson përgjigjen e demokracive deri këtu?
“Solidariteti ka qënë i rëndësishëm. Duke mbajtur parasysh atë që mund të pritej para shkurtit, mbështetja e botës së lirë Ukrainës ka qënë tronditëse. Tregon se nën trysni, demokracitë dijnë të kundërveprojnë”.
Tani arrijnë rezervistat rusë, por duket se janë pa bindje: Putini është një burrë i fuqishëm i një sistemi të dobët, që nuk frymëzon e nuk bind qytetarët e tij?
“Në librin tim Fundi i historisë dhe njeriu i fundmë i kushtoj shumë faqe dobësisë të burrave të fuqishëm. Po shohim një vërtetim. Shumë njerëz para shkurtit besonin se Putini kishte një Shtet skajshmërisht të fuqishëm, sepse kishte një ushtri në letër të stërmadhe e harxhonte për të gjithato para. Por tani kuptohet se asnjë ushtri nuk është kurrë më e fuqishme se sa njerëzit që e përbëjnë. E motivimi i tyre është i dobët: korrupsioni është gjithandej, ushtarët nuk kuptojnë përse duhet të luftojnë e, kur e kuptojnë nuk e bashkëndajnë. Me gjasë është kjo arsyeja e thellë që ata në Ukrainë po humbin. Ndërsa ukrainasit e dijnë saktësisht përse luftojnë: për familjet e tyre, tokën e tyre, sovranitetin dhe lirinë e tyre. Janë motivime të forta”.
Në Kinë Xi Jinping-u vazhdon të detyrojë lockdowne shumë t’ashpra kundër Covidit dhe nuk arrin të mbarështojë krizën e ndërtimeve: probleme të ngjajshme me ata të Putinit?
“Ka një paralelizëm ndërmjet Putinit e Xi-së. Të dy i kanë bërë sistemet e tyre, jo vetëm shumë të përqëndruar por edhe shumë vetiakë. Xi është aq shumë i lidhur me strategjinë “zero Covid” sa që nuk arrin t’a përshtasë edhe kur është e qartë se ajo nuk shkon. Dështimet paralelë të Rusisë e Kinës dëshmojnë se sa mirë është të kemi demokraci liberale me rregulla e lidhje mbi pushtetin ekzekutiv”.
Por edhe në demokracitë liberale diçka nuk shkon: protesta populiste tashmë duket e rrënjosur.
“Gjindja voton për populistët sepse është e pakënaqur. Pjesërisht sepse nuk sheh rritje ekonomike dhe mundësi, pjesërisht sepse elitat nuk i venë kujdes jetës së gjindjes që nuk është si e tyre. Prandaj mendoj se lëvizjet populiste do të vazhdojnë”.
N’Itali Giorgia Meloni është e përkëdhelura e qartë e zgjedhjeve. Çfarë mendoni?
“Është e qartë se nuk është një gjë e mirë. Me Mario Dragin Italia ka patur një rol drejtues në organizimin e përgjigjes krizës ukrainase e në ndërtimin e institucioneve evropianë. Arritja e një udhëheqësje populiste mbas Dragit është një kthim i madh mbrapa. Megjithatë më duket se Meloni nuk është si Matteo Salvini. Nuk është kundër-amerikane, nuk është kundër-Ukrainës, nuk bashkëndan prirjet e tmerrshme të populistëve të tjerë evropianë. Më duket e mundëshme që duke u gjëndur përballë vështirësive të qeverisjes s’Italisë do të bëhet diçka më e ngjajshme e një politikani mainstream.
Për shumë zgjedhës sanksionet kundër Rusisë kuptohen vetëm faturat e shtrenjta. Sa vlen që Evropa të mbajë vendosmërinë?
“Është e rëndësishme. Edhe Amerika nuk është shumë e qëndrueshme në mbështetjen e Ukrainës: në çdo votim mbi ndihmat në Kongres, gjithënjë e më tepër republikanë kanë votuar kundër. Nëse del që disa Vënde të aleancës mënjanohen, kjo nuk ndihmon. E nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesit të legjislaturës kjo prirje mund të shpejtohet”.
“Corriere della Sera”, shtator 2022 Përktheu: Eugjen Merlika