Vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura shiu në të gjithë vendin, duke shkaktuar përmbytje në disa qytete. Situata paraqitet e rëndë në Tropojë, ku në fshatin Vlad, 7 familje janë bllokuar për shkak të vërshimit të ujit, ndërkohë në Vlorë lundrimi në det është pezulluar për mjetet e vogla dhe anijet e peshkimi.
Sesi do të vijojnë kushtet e motit ditët në vijim, këtë na e thotë meteorologia Tanja Porja. Sipas Porjas, në orët vijuese do të kemi reshje afatshkurtra në 80% të territorit.
Të dielën, moti do të jetë me alternime kthjellimesh, vranësirash dhe reshje shiu. Gjithashtu, të dielën temperaturat ulen, ku maksimumi që termometri do të shënojë do të jetë 25 gradë celsius.
Gjithashtu gjatë fundjavës kemi erë të fortë që do të krijojë dallgëzim në brigjet e detit Jon.
Java nis me mot të kthjellët që do të shoqërohet herë pas here me alternime vranësirash.