Nga Arta Avdiu
Nacionale
Ndonëse realizuan mbi 30 takime në Nju Jork, Vjosa Omsani, presidente e Kosovës, dhe Donika Gërvalla, ministre e Jashtme, ‘anashkaluan’ takimin e Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë, i cili gjithashtu mori pjesë në javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Përveç kësaj, Osmani e Gërvalla u treguan kritike ndaj Ramës. Madje, komandantja supreme tha se kryeministri shqiptar po orvatet t’ia shpetojë fytyrën Serbisë, me të cilën deklaratë pak më vonë u pajtua edhe zonja Gërvalla.
“Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheëva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve.”, theksoi Osmani
Deklaratat e shefeve të diplomacisë kosovare shpërfaqin raportet e tensionuara ndërmjet udhëheqëseve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Njohësit e politikës janë të ndarë nëse deklaratat anti-Rama do të ndikojnë në marrëdhëniet dy-palëshe.
Artan Behrami, analist, e dikur këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, është i ashpër karshi Osmanit, duke thënë se trashëgimia e saj është ‘urrejtja dhe përçarja’.
Tutje, Behrami thotë se Osmani e Gërvalla kanë marrë anë të gabuar kundrejt nismës së Ramës për raportin e Dick Martyt.
“Presidentja Osmani dhe ministrja e Jashtme Gërvalla po marrin anë në luftën që kryeministri Rama po e zhvillon në Këshillin e Evropës kunder ish-senatorit Dick Marty. Atë që as Serbia nuk po ka më fytyrë ta bejë, po e bën Presidentja dhe Ministrja e Jashtme. Ato po dalin në mbrojtje të Dick Martyt dhe sponzoruesve te tij, Serbise dhe Rusise, duke goditur kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Duke u shndërruar në notere të kryeministrit Kurti, Vjosa Osmani po ia shpëton fytyrën Serbisë, duke toleruar një shkëmbim tregtar që është me qindra milionë euro. Ajo e ka harruar padinë për gjenocid, ka harruar të pagjeturit, ka harruar krimet serbe në Kosovë. Por, fati i Kosovës është që Presidentja Osmani është nën nivelin e çdo presidenti që ka pasur Kosova deri me sot.”, tha Behrami për gazetën Nacionale.
Ndërsa, opinionisti nga Tirana, Julian Zyla mendon se rapotet jo të mira ndërmjet liderëve kosovarë dhe shqiptarë nuk ndikon në marrëdhëniet mes dy shteteve.
Në një përgjigje per gazeten Nacionale, Zyla tha se marrëdhëniet mes dy shteteve tona mbeten vëllazërore, duke theksuar se Shqipëria do ta mbeshtesë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Presidentja e Kosovës ishte e qartë në ndarjen që i bëri gjatë intervistës së fundit me Zërin e Amerikës marrëdhenieve mes dy shteteve dhe marrëdhënieve mes politikanëve. Ajo theksoi se marrëdhëniet mes dy shteteve tona mbeten vëllazërore dhe se Shqipëria vazhdon ta mbështesë Kosovën në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Kjo ishte në mendimin tim, momenti kur ajo foli në emër të Republikës së Kosovës”, tha Zyla.
Zyla tutje sqaron se pse deklarata se “Rama po i a shpëton fytyrën Serbisë” nuk ndikon në rapotet mes dy vendeve.
“Pjesa tjetër e fjalës së saj gjatë intervistës mund të ndahet në dy momente. Momenti i parë është përshkrues, kur ajo sqaron se mosmarrëveshja me qeverinë e Shqipërisë është e njohur dhe lidhet me çështjen shtetërore të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”. Momenti i dytë është analitik, kur ajo analizon deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë. Pra, ky moment i fundit në rastin më të rëndësishëm mund të merret si një deklaratë politike dhe Presidentja e tha që rëndësi kanë marrëdhëniet mes shteteve, e jo mes politikanëve, përfshirë pra, deklaratat e tyre. Në këtë kontekst unë nuk shoh arsye shqetësimi për marrëdhëniet mes dy vendeve. Ato vazhdojnë të mbeten vëllazërore, e konfirmuar kjo nga të dyja palët. Mirë do të ishte që vëllezërit të gjenin gjuhën e përbashkët”, sqaroi Zyla.
Ndërsa, gazetari Qendrim Badalli e cilëson si jo të qëndrushme kritikën e presidentës Osmani ndaj kryeministrit shqiptar.
“Nuk mendoj se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po mundohet ta shpëtojë Serbinë nga Perëndimi, përkundrazi, unë mendoj se politikat e Ramës në raport me Serbinë është në funksion të tërheqjes së këtij shteti brenda bllokut perëndimor, mirëpo kjo përpjekje nuk është rrugë e shkurtër dhe direkte, por përfundimi është aty. Në rrugë e sipër ka lëvizje taktizuese, instrumentale e që fatkeqësisht të njejta po merren si qëllime në vetvete”, tha Badalli.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka denoncuar raportin e Dick Marty-t dhe Gjykatën Speciale, duke mbrojtur luftën dhe shtetin e Kosovës.
Fjalimi i tij ngjalli shumë reagime në Kosovë, gjersa disa e quajtën Ramën kryeministër të shqiptarëve.
Megjithatë, Rama është kritikuar jo rrallëherë për afërsinë e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.