Greqia nuk njeh krizë, ekonomia rritet me 6%

2 Minuta Lexim

Banka e Greqisë parashikon një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 6% për këtë vit, ndërsa kjo normë pritet të bjerë vitin e ardhshëm në 2.8%, deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë, Giannis Stournaras.

Sipas tij, ecuria më e mirë e ekonomisë greke krahasuar me atë të Bashkimit Europian, është kryesisht për shkak të rritjes së të ardhurave nga turizmi, si dhe të ardhurave nga Fondi i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës.

Stournaras paralajmëroi se, kombinimi i rritjes së normave të interesit dhe çmimeve të energjisë mund ta çojnë ekonominë e eurozonës në vitin 2023 më afër skenarit negativ sesa atij të ashtuquajtur skenar bazë. Megjithatë, në çdo rast, ekonomia greke vlerësohet të mbetet në një pozicion më të mirë falë rritjes së të ardhurave nga Fondi i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës, por edhe varësisë më të ulët energjetike nga Rusia.

Kombinimi i rritjes së normave të interesit dhe përkeqësimit të cilësisë së kredive shkakton rreziqe të veçanta për bilancet e bankave, por ai pranoi se bankat momentalisht po përfitojnë nga rritja e normave të interesit.

Guvernatori i Bankës së Greqisë u shpreh se Banka Qendrore Europiane duhet të vazhdojë të normalizojë politikën monetare gradualisht dhe në mënyrë fleksibël, derisa normat e interesit të kthehen në të ashtuquajturin nivel neutral, ose edhe më të larta.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull