Hakerat “nxjerrin në shitje” databazën e plotë të TIMS: Deri tani e kanë blerë disa persona, ja çfarë kemi planifikuar në vijim

3 Minuta Lexim

Hakerat e grupit Homeland Justice pretendojnë se kanë nxjerrë në shitje databazën e plotë të e-Albania dhe sistemit TIMS, të vjedhura pas dy sulmeve kibernetike ndaj serverave të shtetit shqiptar.

Në rrjetin social Telegram, ata thonë se të dyja databazat janë në shitje për 0.025 Bitcoin secila, apo rreth 557 dollarë amerikanë.

Një prej hakerave të grupit, i pyetur nga Newsbomb.al shprehet se deri tani ka arritur të shesë rreth 20 kopje të databazave, te persona privatë, apo gazetarë si dhe persona të tjerë të cilëve nuk dëshiron t’ua zbulojë identitetin.

Vetëm databaza e e-Albania, pretendohet se është më shumë se 800 GB dhe ka çdo të dhënë për çdo person të regjistruar. Ndërsa databaza e sistemit TIMS pretendohet se ka të gjitha hyrje-daljet në pikat kufitare dhe pasaportat e qytetarëve shqiptarë.

Hakeri i grupit Homeland Justice thotë për Newsbomb.al se sulmi i tyre është ndaj qeverisë shqiptare që përkrah “një grup terrorist” si Muxhaheditën iranianë të cilët strehohen në vendin tonë.

Disa gjëra nuk mund t’i zbuloj, duhet të mbrojmë veten”, shprehet ai.

Mund t’ju them se databaza e TIMS dhe e-Albania është në duart tona. Këtë e bëjmë kundër qeverisë shqiptare që përkrah terroristët”.

Në lidhje me çmimin e databazës, hakeri thotë: “Nuk e bëjmë për para, e bëjmë t’i tregojmë qeverisë shqiptare që e posedojmë. Dhe do t’i lëndojmë ata”.

0.025 Bitcoin është mjaftueshëm. Qytetarët e thjeshtë s’mund ta blejnë, por ata të një profili më të lartë e marrin”.

I pyetur se çfarë mendon për qytetarët e thjeshtë shqiptarë që nuk duan t’ia dinë për vendimet e qeverisë së tyre, por jeta e tyre është vështirësuar për shkak të sulmit kibernetik që rrezoi shërbimet “online” duke shkaktuar shumë vonesa, ai thotë:

Shërbimet tashmë janë rikthyer. Të gjithë e dinë që ne s’mund ta ndryshojmë qeverinë, dhe gjithashtu vazhdojmë jetët tona pa shkëputje. Nuk do t’i ndalojmë veprimet tona deri sa ta lëndojmë akoma dhe më tepër këtë qeveri të korruptuar”.

I pyetur nëse planifikojnë të tjera sulme, ai shprehet:

Po, kemi planifikuar sulme të tjera. Por për qëllimet, nuk them dot më tepër”.

Logo e grupit të hakerave Hmeland Justice përmban një shqiponjë që drejton kthetrat nga Ylli i Davidit, i pyetur për domethënien hakeri thotë: “Do ta zbulojmë në një të ardhme kuptimin e logos, por janë veprimet tona ato që duhet të shihen dhe dëgjohen nga të gjithë”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull