I zhveshur nga trashëgimia e të parëve të mi

2 Minuta Lexim

Sadik Bejko

Shpesh shoh në fb që miq të mi nga Kosova postojnë foto familjare nga pronat e tyre tokësore, pasurore, shtëpi e kopshte në vendlindjen, në vatrën e të parëve të tyre.
Ta kisha edhe unë atë fat …me një kopsht timin nga baba.
I kam zili shumë këta miq të mi, miq në nivelin e moshës dhe të shkollimit tim nga Kosova. Ata postojnë foto nga ngulimet e tyre të vendlindjes… nga tokat, shtëpitë… me pyll.. me mulli etj.
Dhe unë këto pasuri i kam pasur dikur në fëmini. Madje, në ato kohë, kush nuk trashëgonte shtëpi, gjë a tokë nga baba, ishte kopil.
Por, por… komunizmi ne shqiptarëve të Shqipërisë londineze të gjithëve na ktheu në kopila. Ne e humbëm të drejtën e trashëgimisë nga të parët tanë. Komunistët e përbuznin pasurinë private. Të gjitha pronat individuale i kthyen në shtetërore. Komunizmi funksiononte si kapitalizëm monopolist shtetëror. Vetëm njëri ishte pronar mbi gjithë pasuritë e patundshme… vetëm shteti. Privatja ishte armiqësore, e ndaluar, e huaj. Të gjithë nga çdo gjë u shpronësuam. Toka, bagëtia, dyqanet u shtetëzuan (kolektivizuan) dhe kurrë nuk u kthyen te i zoti.
Në “demokraci”, pas 90-tës, bijtë e komunistëve, bijtë e nomenklaturës së lartë të komunistëve, edhe sot të rikthyer në pushtet, trashëgojnë pasuritë që ne të tjerëve na u morën nga etërit e tyre.
Unë kam pasur pronë. Unë kam vuajtur, jam ndëshkuar prej komunistëve nga që të parët e mi kishin pronë… dhe sot unë e shoh atë pronë dikur timen…. me dylbi. Nuk marr dot në duar asnjë grusht dheu, asnjë tufë me bar nga ajo që ishte me tapi pronë e gjysh stërgjyshave të mi. Ligjet u bënë që të përjashtohej ish pronari nga pasuria e tij. Unë nuk mund të gëzoj asnjë pëllëmbë tokë, asnjë trashëgimi prej të parëve të mi.
Fatkeqësisht.
Kështu janë të përjashtuar nga kjo trashëgimi e shekujve edhe fëmijët, nipat e mi. Padrejtësisht.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull