Artan Fuga
Ja edhe Partia Demokratike e bëri qokën e vet, na dha sihariqin se do të çojë në Kuvend një ligj ku do të dënojë të kaluarën komuniste të Shqipërisë, do ta lustracojë lidershipin, dhe gjithçka!
Duartrokitje të zjarrta Pikërisht këtë kërkon populli, qytetarët, elektorati. Të na shpëtoni nga e kaluara, a thua se nuk ka nja dyzet vjet që është rrëzuar totalitarizmi i vjetër.
E rrëzuat njëherë, tani çfarë do të bëni, ngjan si ai shkrimtari që shkruante për së dyti, atë që kishte shkruar herën e parë!
Njerëzit, ja nuk e shikon, atë presin, se çfarë do të bëjmë me autoritarizmin e dhunshëm sot, jo të lustracojmë historinë e Enverit, Zogut, po deshët edhe të Skënderbeut!
Ne jemi sot në hall. Hiq ndonjë ligj për internimet, që në fakt zëvendësohet nga ikjet masive nga sytë këmbët të shqiptarëve, i gjithë sistemi politik i sotëm është pikë për pikë si i djeshmi! Ligja elektorale, organizimi i partive, të drejtat e njeriut, gjithçka, ndofta më keq!
A ka përgjegjësinë e vet Partia Demokratike për këtë apo jo? Këtë pret elektorati.
A mund ta lustracionojë të kaluarën e vet duke na dhënë një vlerë të re, apo jo?
Fiksacioni te e kaluara nuk është shenjë e mirë, më kujton një mik që gjithë ditën thotë : Kur ishim njëherë në Canakalaaaaaa!
Lustracioni i së kaluarës, kur të kaluarën e ke këtu, sa hap derën e shtëpisë dhe deri sa shkon në dreq, është thjesht një llustër, llustrim.
Populli nostalgjik kur thërret të shkuarën, madje edhe voton, si në ndonjë vend fqinj, e bën sepse nuk bën dot dallimin mes të shkuarës dhe së sotmes! I duket më i mirë origjinali se fotokopja!
Ne presim reforma të thella në horizonte të rinj, të ndarë nga e kaluara, kur fap na propozohet ndalimi i së shkuarës! Të shkulesh nga e qeshura brinjë më brinjë! Shkolla, arti, Kuvendi, partitë, gjithçka njësoj, e njëjta që quhet me fjalë të tjera! Sikurse thoshte Lë Bon!
Cfarë mërzije, mijëra vjet e njëjta gjë, ne jetojmë në të kaluarën, këta na thonë po llustrojmë të kaluarën, të kaluarën e ke në ligje, kushtetutë, rregullore, të drejta, kode elektorale, statute partie, këta thonë të bëjnë ligj kundër së kaluarës, kundër shalleve të pionierit, emrave të rrugëve a ku e di unë se çfarë llustrave të tjera. Ca inatin e nxjerrin edhe me dëshmorët! Bjeri të vdekurit, kur ne si thoshte Heidegger jetojmë si mumje të vdekura që na ka ndaluar koha!
Madje edhe vija e masave është aroma e një buke krundesh e vjetër!
A do të shohim horizonte të reja, apo do të ndalojmë të shkuarën duke e llustruar atë, sepse sa herë e kaluara është e tanishme, të merresh me kujtimet e së kaluarës është një amnezi fatale!
Cfarë monotonie!