Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të bëra nga Sali Berisha një ditë më parë se kreu i qeverisë i ka mbyllur dosjen Lulzim Bashës për financimin rus të PD-së.
Rama tha se Berisha mbetet monument i gënjeshtrave dhe akuzave duke mohuar përfshirjen në këtë çështje.
Ndërkaq Rama paralajmëroi gazetarët duke u shprehur se do të habiten për gjërat që do të pasojnë.
Rama: Ai që quani ju kryetar i PD është turpi në gojën e kujtdo që e sjell si pikë referimi në raport me botën e informacionit. Nuk është turpi i askujt tjetër, përveç kujtdo dhe atyre që verbërisht e sjellin që vazhdon e sjell si pikë referimi në botën e informacionit dhe në debatin publik. Është monument i gënjeshtrave dhe akuzave.
Është prurësi më i madh i llumit moral, i llumit gjuhësor, i llumit njerëzor në jetën e shqiptarëve, në historinë e Shqipërisë, se ka një të dytë Shqipëria. Ça kërkoni nga ju? Ta marr përsipër këtë pyetje dhe t’ju përgjigjem. Po mirë mo a nuk është i njëjti që me forcë mohoi çdo lidhje të PD me Rusinë, i vuri gjoksin dhe e mbrojti me pathos Lulzim Bashën?!
Ku hy unë tani? Kjo është historia e jo një budallai që hedh një gurë në lum, por e një shejtan budallai që torrolis një vend të terë dhe ju tërheq prej hunde të gjithë ju që e pranoni me veten tuaj që ta konsideroni si pikë referimi, si burim informimi, si subjekt që meriton të hyjë në gojën tuaj dhe të futet në mes të debatit publik.