Ilir Kadia Në fillim të viteve 70′ ne të “Sami Frashërit” konkurronim fort me “Qemal Stafën” në teatër!Ata kishin Çim Xhepën,Çim Dajën,Lazarin Mazrekun…ne kishim Mir Demnerin,Gim Bajkon,Ben Imamin, Moza Boçarin e më të mirin prej krejtve Ilir Dashin!E kishim edhe kur luanim “Prefektin”,edhe kur luanim “Era e ngrohtë e thellësive”, edhe kur luanim “Lezen”!
Pastaj në kampionatin e futbollit prap kishim Bamir Topin,Bardh Vorpsin ,Gëzim Harasanin dhe prap asin nën mëngë Ilir Dashin e fortë në mbrojtje si shkëmb!
Kur vinte fjala për konkurset në fizikë a matematikë prap Ilir Dashi ishte një nga asat e Samiut!
Takova para ca ditësh zysh Nafin! Ajo jepte fizikë dhe Astronomi!Ishte thelluar në moshë!E solla në mend kur dialogonte gjithë hare me Ilir Dashin korridoreve të shkollës!E deshte shumë!
Ilir Dashi ishte si heroi pozitiv i kohës!Në filma të tillë role do luante!E zgjidhnin enkas regjizorët se ishte sinonim i njeriut zemërbardhë të brezit tonë!
Kur u bë drejtor i spitalit sa e sa herë trokita me hallet shëndetsore të njerëzve të mi devollinj! Ata vinin se e dinin që kisha shok drejtorin e spitalit që do i ndihmonte sikur të ishin kushurinjtë e vet!
Nga vitet e gjimnazit e deri sa jetoi dashuria për njerëzit veç ju shtua dhe nga njerëzit veç dashuri mori Ilir Dashi!
Para ca vitesh u takuam në një garë hipizmi para fushës përballë stadiumit “Selman Stërmasi”!Ishte me djalin e madh!Folëm e qeshëm hareshëm si në rininë e parë! Në qiellin e kaltër lodronin si mjelma ca re puplore!
Tani që nuk e kemi fizikisht mes nesh nuk di pse më fanitet në kujtime si kalërues i një kali të bardhë që rend e rend!Trokon e Trokon duke e tërhequr gëzueshëm jelesh fisniku ynë Ilir Dashi!