PLAKJA E TRUPIT, E IDEVE, E FTYRAVE POLITIKE…

10 Minuta Lexim
Josif Papagjoni
-Mos je gjë Josif Papagjoni ti?
Përpara kisha një fytyrë si të njohur. U pëpoqa ta kujtoja por qe e pamundur.
– Jam Skënderi, ai i lagjes, s’më njeh?… Eh, sa qenke plakur?
– Epo mosha ikën… Plaket guri e jo njeriu, – ia ktheva unë.
Thamë dhe ca fjalë të tjera dhe u ndamë. U ndjeva edhe i përkëdhelur, edhe i fshikulluar. Isha një “i plakur!” Por, ama, një plak që rrija në “kioskën” e moshës dhe pozitës sime. Mirëpo ky vend ka ca njerëz të një specieje që nuk duan të “plaken”, duan të jenë aty, përherë, në “pilafin” e shtetit, parasë, influencës, vëmendjes. Plakja per ta është vetem vdekja.
Teksa rrëpira e jetës më pat çuar në shumë vende dhe guri i mundimit, si gjithkujt në këtë jetë, më kishte rënduar si dreqi shpinës e gjak ma kishte bërë, qyteti dhe njerëzit gjithnjë e më mundimshëm më largoheshin. Tjetër kohë, tjetër qytet, të tjerë njerëz. Them se kjo është ndjesi e të gjithëve. Të trembesh prej saj apo ta sfidosh ate?!… Të dyja s’të nxjerrin askund Skënder, veçse përfundon në një qorsokak tjetër. Shpesh ndjehemi si kërmilli në palcë të diellit me lëngun e tharë ravijëzuar faqes së gurit. Me ndodh dhe mua shpesh kështu. Dallojmë rrëzëllimin e kosës së vdekjes, të cilën më parë veçse sa e mendonim, por nuk e shihnim. I keni parë ca fytyra ngjitur pas ekranit? Po ata pas partiçkave te tyre?! Ata nuk njohin se ç’domethënë ndërrimi i brezave, nevoja e përtëritjes së njerëzve, udhëheqësisë; nuk duan të lëshojnë istikam, domethënë pushtet, karrige, autoritet, presidium, vëmendje. Shajne te djeshmit, por janë po njësoj si ata, kopja e tyre. Vdekja u duket shumë larg, sikur s’ka për t’u ardhur kurrë, aty do vdesin mbi kolltuk, ne ekran, lloj tartabiqesh që i ha lakmia, hajnia. Më duken si palimpsestet a talismane mbi faqe pergamenash ku fshihen krime të dikurshme, ankthe, pabesi; nuk duan t’ia “ndjejnë” aromën, djersën, frymën dhe pamundësinë qe vjen prej një shpirti të vdekur. Edhe nëse gogësijnë nëpër mbledhje, nëse u mbyllen sytë, nëse duan ca qofte, nëse vjedhin thesarin e shtetit a hedhin ne erë nje qender banimi krejt, nuk ka bir nëne që të pranojnë se janë “të shkuar mode, se duhet të hapin krahun”. bah, me kë e ke?!
Kjo nuk është vetëm një psikologji që ushqehet nga politika, ofiqet, privilegjet, fitimet, të qenit i pari. Më duket sikur është SHQIPTARE. Kali i Kostandinit të baladës vrapon e vrapon në çmendurinë e ankthit të jetës së tyre dhe këta njerëz, të trembur, të lodhur, mbushur me paranoja krimesh e burgjesh te pritshme, kthejnë kokat pas për të shquar fytyrën pa formë të krimit a vdekjes që po i ndjek si djalli, ndaj dhe shtrëngojnë më fort këmbët pas vitheve të kalit vrapacak që të mos thyejnë zverkun. Më mirë mbi dhe´ e në një kolltuk diku, sado i vogël qoftë, sesa “andej” te hiçi i zi dhe një “hiç” tjetër edhe me i tmerrshë e pa formë i vdekjes, që u ngjan si një sallë gjyqi a si pranga në duar. ndonëse të paturpshëm, turpi i ndjek nga pas.
Ai që më pyeti, me emrin Skënder, habitej pse qenkam plakur kaq shumë?! Është fisnike të plakesh, miku im. Ti më quajte mua një “sarandiot të vjetër”, pra se jam një specie e rrallë sot në qytetin tim. Si unë jane me mijëra qyteteve shqiptare, po ashtu në kryeqytet. plaken Skënder dhe mblidhen në shtepinë e tyre, me familjen, nipat, mbesat, miqte. Shpesh Skënder kridhem si i shastisur brenda logjikës së pamëshirshme niçeane. Vdis, një më pak! Jeto, një më shumë! A ndryshon gjë vallë?! Si ka qenë jeta ime? E kredhur në dëshpërim, mërzi, pezëm apo e dritësuar nga optimizmi, hareja, humori, lumturia? Po të them se ishte njësoj si e jotja në thelbin e saj; në formë e cilësi ndofta qe më ndryshe. Kur isha udhëve të pohimit të qenies dhe egos sime mes mijëra peripecish e çastesh pune pa fund, herë të lodhshme e me brumë e herë të zhytura nëpër kotni, jeta më është dukur litar e gjatë, Skënder. Edhe ti besoj kështu të është dukur. Të gjithëve, me para apo pa para qofshim, në kolltuqe shteti apo pa to, në thelb jeta është po ajo që ka qenë, Skënder.
Mirëpo ti i njeh ca surretër që u duket sikur s’kanë vdekje, por si XHAXHI i dikurshëm që na paskesh veçse ditëlindje. Nuk janë disa nga këta si ai XHAXHI ynë i djeshëm, nuk janë bijtë e tij? Kujtojnë sikur pa ata jeta ndalon, gjithçka vdes, sepse fillimi i cdo fillimi janë vetëm ATA. E ç’rëndësi ka Skënder nëse të them se është një S a një tjetër germë. Të gjithë jemi të përsëritshëm, të konsumueshëm. Vetë dashuria konsumohet dhe jo surrati i dikujt që na mbin kudo ekraneve, një farë riti vetëmashtrues; kujtojnë se janë origjinalë por s’janë veçse kopjet e pararendësve të tyre ogurzinj, sharlatanë apo të padurueshëm. Unë për vete kam vuajtur Skënder pamundësinë, shpesh dështimin tim, se drita e shpresës së dikurshme të rinisë tashmë më qenka venitur me tërësej dhe paskam mbetur pas, në harresë. E pse jetojmë atëherë, do më pyesësh ti, kur fuqia na ka shterrur, pasionet na janë plakur, dashuritë dhe gjithë dufe na janë kalbur, ndërsa petkat po na i heq një nga një era e moshës, e tuhafjes dhe po na lënë cullak. Prandaj dhe unë t’u duka aq i plakur, sepse edhe ti në syrin tim je po njësoj i plakur. Jemi të dy pleq fisnikë Skënder. Po pse disa nuk duan të plaken? Pse i mbërthejnë dhëmbët pas pushtetit e çdo kolltuku; edhe t’ua presësh kokën, nuk shkulen jo! Mbase ti e kupton ku e kam fjalën. Pse këta urith nuk duan t’ja dinë se u ka ikur koha, se janë tjetër brez, të tjera interesa, se përfaqësojnë ndjeshmëri të tjera sa dhe ide e mendësi që janë ftillëzuar të e djeshmja e tyre, jo te e sotmja, ca më pak te e ardhmja. Tjetër nivel shoqërie, të tjera interesa. Dhe kur kthej kokën pas Skënder, mua më duket rruga shumë e gjatë – rruga e mallkuar e jetës qe kam bërë. Por disave, jo! Mua shumëçka tashmë më ngjan pa shije, e mbetur në mes, e pa mbërritur. Pse këtyre nuk u duket po kështu, Skënder?! Do më thuash, pse i shan përderisa ndjehen të rinj, kanë energji?! Pse bëhesh xheloz? Jo Skënder, nuk e kam nga xhelozia, e kam se ata nuk e duan pleqërinë e tyre, sepse kanë “llogari” të pambyllura. Pasionet e dikurshme dhe ndezullitë e tyre të harbuara më ngjajnë si fantazmat pa trajtë, copëra mugëtirash ku vezullimi i dikurshëm është tretur, gjithçka ka humbur, është gëlltitur, kanë mbetur veçse ca relieve fytyrash, flokësh, sysh të egërsuar, të ndërkyrer. me një fjalë, gërmadha politike… Mos me thuaj se nuk i njeh Skënder?!
Mirëpo për shushunjat e këtij vendi koha nuk rrjedh, as ndryshon, mbetet “po ajo”, koha e tyre, domethënë ndalimi i saj, vdekja e saj. Ata duan të jenë përherë aty, LART, te kolltuku dhe kali prej PRIJËSI. Kjo specie nuk e njeh plakjen Skënder, edhe pse trutë e tyre janë plakur me kohë. Unë e njoh plakjen, se ajo është diçka e natyrshme, e dashur, e ëmbël, e pashmangshme. Madje, e fisme. Njihe, pra! Por kur s’e njeh, lipset të ta thonë të tjerët me forcë: je i plakur zotëri, dil në qoshe, gëzo pensionin tënd, lëri të rinjtë të ecin vetë, mos i pengo!
Do më thuash Skënder se për kë e kam fjalën. S’po ta them kësaj here, por ditë për ditë, në çdo ekran, këta zhvatës të mendjes sonë i ke aty si rriqëra, llap-llap-llap…

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull