Porosia e ministrit Çuçi për kreun e ri të Policisë së Shtetit: Flamuri kuqezi është i vetmi për të cilin ne përulemi

2 Minuta Lexim

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e betimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi kishte një mesazh të veçantë për Muhamet Rrumbullakun teksa i dorëzoi simbolet dhe flamurin. Ai i kërkoi atij se i vetmi flamur për të cilin duhet të përulemi është flamuri kombëtar.

“Ju z. Rrumbullaku do të merrni sot në dorëzim flamurin e organizatës. Unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë dikë më pak.

Në një moment historie mund të ndryshojnë flamujt që respektohen më shumë dhe më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, përfshi edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati të jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krena.

Dua t’ju them që këtë gjë mos e harroni në asnjë ditë të punës tuaj. Jam i bindur që ju do ta realizoni me nder dhe me sukses këtë rrugëtim tuajin në këtë pozicion kaq shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për Shqipërinë”, u shpreh Çuçi.

Ministri i Brendshëm vlerësoi Muhamet Rrumbullakun si një oficer policie me integritet të lartë moral e profesional. Ky është momenti që më shumë se kurrë Policisë së Shtetit i duhet një drejtues i tillë tha ministri Çuçi.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull