Nga Ben Blushi
Imagjinoni sikur pas 50 vitesh kamarieri që ju shërben të jetë 70 vjeç, me një aparat dëgjimi në vesh, shkak për të cilin mund ta ketë ngatërruar porosinë disa herë dhe në vend të një sallate t’ju sjellë një akullore.
Ose sikur shoferi i taksisë të jetë një plak i kërrusur mbi timon, sytë e të cilit nuk japin asnjë garanci që do ta gjejnë rrugën pa u përplasur në ndonjë mur dhe në një moment të ndalojë dhe t’ju kërkojë ti jepni ju taksisë sepse ai nuk ka më fuqi.
Po sikur polici, që presupozohet të jetë një burrë i fortë dhe përgjithësisht i shëndetshëm, që duhet të na mbrojë edhe fizikisht nga keqbërësit, të jetë një i moshuar që capitet ngadalë nëpër lagje dhe i duhet gjysëm ore të përshkojë nga cepi në cep sheshin Skënderbej, distancë që një polic i ditëve tona,natyrisht i ri, mund ta përshkojë pa u nxituar për 3 minuta.
Imagjinoni sikur Shqipëria të jetë vendi i parë në botë që nuk gjen dot ushtarë nën 60 vjeç sepse mosha mesatare e vendit në kohën që po flasim, pra pas pesë dekadash mund të jetë 78 vjec.
Dikush mund të thotë çfarë do na duhen ushtarët, pas 50 vitesh sepse atëherë bota do ketë arritur Pax Mundi, pra paqen e përhershme mes kombeve dhe shteteve, por duke parë çfarë po ndodh sot në Ukrainë, unë nuk do vija bast se këtë shekull do arrijmë të jemi një planet pa luftë.
Një vend si Shqipëria, që është pushtuar sa herë është dashur dhe që asnjeherë nuk e ka përdorur ushtrinë e vet, mund të vuajë më shumë nga mungesa e infermierëve sesa nga mungesa e ushtarëve.
Ja që duke folur për infermierët si një kontigjent shërbyesish pa të cilët pleqëria rrezikon të kthehet në një torturë të padurueshme, po i afrohemi asaj që unë e quaj Republika e Pleqve.
Republika e Pleqve është një vend ku të gjithë janë të moshuar sepse të rinjtë kanë emigruar masivisht dhe ku numri i lindjeve ka rënë nga 30 mijë bebe në vit, që lindim sot, në më pak se 3 mijë pas dy dekadash, më pak se 1 mijë pas tre dekadash dhe në disa qindra pas 5 dekadash.
Imagjinoni pra që mund të ketë shumë ditë, kur në gjithë vendin nuk lind asnjeri.
Nëse kjo ndodh nuk është çudi që lajmi kryesor i ditës, të mos jetë më kush vdiq por kush lindi sot. Kronikat që shpjegojnë se prej disa muajsh nuk ka lindur asnjë bebe do jenë furnizueset kryesore të portaleve ndërsa momenti i lindjes, jeta e përditshme, ushqimi, belbëzimet dhe hapat e parë të vajzës që lindi para një viti do zëvendësojnë reality show e sotshëm.
Fëmijët do jenë The Stars, ose Yjet e Republikës së Pleqve. Vetë pleqtë do jenë shërbëtorët e tyre.
Në parlament nuk do ketë asnjë debat tjetër përvec çështjes së pensioneve.
Kush do ti paguajë gjithë pensionistët e Republikës së Pleqve?
Meqënëse Shqipëria mund të ketë përfunduar në një shtet me 300 mijë banorë nga të cilët 250 mijë mbi 70 vjec, ata që punojnë do jenë shumë pak për të përballuar pensionet e prindërve dhe gjyshërve siç ndodh sot.
Republika e Pleqve do marrë borxh vetëm për të paguar pensionet sepse investimet për shkolla, çerdhe, rrugë dhe spitale nuk do kenë asnjë kuptim.
Meqë ju kam ftuar në një rend imagjinar po e zbraz deri në fund sirtarin e fantazisë sime duke ju ftuar të përfytyroni një çift shqiptarësh në vitin 2092, të cilët kanë lindur në vitin 2022 dhe në vitin që flasim do jenë secili 70 vjec. Këta të dy pra, pasi kanë konsumuar të gjitha huqet e adoleshencës dhe kapriciot e rinisë së zgjatur, kanë vendosur të martohen 70 vjeç në një shoqëri ku shumica e njerëzve janë mbi 60 vjeç dhe të jesh 70 vjeç konsiderohesh relativisht i ri, të themi sa dyzetvjeçarët e ditëve tona.
Ky çift i sapomartuar shtatëdhjetëvjeçarësh, duke përfituar nga genet e mira ose edhe nga përparimi i teknologjisë së mbjelljes së bebeve, më në fund arrijnë të bëhen prindër. Por gëzimi i tyre fatkeqësisht mund të zgjasë shumë pak sepse duke vuajtur sëmudjet e moshës, ndonjë pandemi ngjitëse apo ndonjë kancer simultan, vdesin njëri pas tjetrit.
Kush do e rriste në këtë rast beben e tyre?
Askush.
Gjithë shteti do jetë i plakur, përfshi punonjësit socialë dhe të gjithë ata që paguhen për t’u shërbyer bebeve mund të jenë në moshën kur nuk i shërbejnë dot as vetes së tyre. Te shtrirë nëpër krevate azilesh, ata dergjen në pritje të një gote ujë, të një serumi, apo një pjate supë të cilën nuk ua sjell njeri sepse janë të gjithë pleq të pafuqishëm, bateria biologjike e të cilëve është duke skaduar.
Në këto kushte bebja e sapolindur dhe jetime do ishte duke u lebetitur në pritje që dikush ta mësojë të rritet.
Duke mos patur bebe Shqipëria do ishte me këtë rast vendi i parë në botë, pa çerdhe, pa kopshte dhe pa shkolla. Dhe natyrisht pa maternitete. Duket apokaliptike por e vërtetë. Imagjoni një vend pa maternitet. I ngjan një biberoni pa qumësht.
Çfarë trishtimi.
Një vend të tillë, bota ende nuk e ka njohur. Një vend pa prindër dhe pa fëmijë.
Bashkë me bebet dhe gjithshka që është shpikur për ti ushqyer, rritur, argëtuar dhe mësuar ato, do të mungonin mësueset, abetaret, fletoret, librat shkollorë, topat e basketbollit dhe ndoshta vetë shkollat bashkë me klasat e terrenet sportive si dhe bankat që në rastin më të mirë do ktheheshin në muze të nxënësve që nuk janë më, siç ndodh në fshatin Dardhë, ku bankat janë kthyer në muze sepse aty prej 10 vitesh nuk ka lindur askush dhe prej më shumë se 30 vitesh nuk ka nxënës që shkojnë në shkollë.
Këtë fshat pa bebe, pa fëmijë dhe pa nxënës unë e jetoj prej shumë vitesh por kush më thotë se edhe shumë nga qytetet tona nuk do jenë kështu pas disa dekadash?
E nëse një vendi i mungojnë bebet që bëhën fëmijë dhe fëmijët që bëhen të rinj, shumë shpejt do ti mungojnë me rradhë bujqit, agronomët,inxhinjerët,arkitektët, hidraulikët, marangozët, pastruesit dhe me të njëjtën rradhë edhe lopatat, pompat, sharrat, fshesat, pa folur këtu për sportistët, vajzat e show bizzit dhe bashkë me to edhe topat, golat, rrjetat, tifozët, stadiumet, parukieret, manikyristet, dyqanet e modës, lokalet e natës, plazhet e lluksit, motorrët e ujit, jet skitë, shampanjat, koktejlet dhe gjithë zinxhiri industrial i sendeve që konsumojnë ata që nuk janë pleq.
Nëse të gjitha këto do të ndodhin me rendin e çmendur që kam përshkruar më lart dhe Republikës së Pleqve do ti mungonin argëtimet dhe klubet e natës, sportet dhe qejfet, pa dyshim edhe gjimnazet e universitetet, pra nëse do kishte vetëm pleq por jo të rinj, atëherë ky do ishte vendi i parë në botë ku do kishte dashuri por nuk do kishte sex.
Republika e Pleqve do ishtë një sexless coutry, një vend pa sex.
Sigurisht Republika e Pleqve, do ishte një vend i populluar me farmaci, ambulanca dhe spitale. Natyrisht mjekët,infermierët dhe farmacistët do ishin edhe ata pleq.
Nëse doni t’ju ndihmoj të imagjinoni veten pas 50 vitesh, në një dhomë spitali, ku kuroheni për një trokitje infarkti në zemrën tuaj, duhet të ndjeheni mirë se ndryshe nga spitalet e sotme që janë super të populluara dhe dhomën duhet ta ndash me tre ose dhe pesë fatkeqë të tjerë, në Republikën e Pleqve do ketë dhoma të lira sa të duash.
Nuk do ishte për t’u çuditur, nëse infermieri, pra njeriu që paguhet të kujdeset për ty, të jetë një burrë ose një grua moshatare me ty, i cili edhe vetë do kishte nevojë për rregjim, për pak pushim, për ilaçe apo për të matur tensionin dhe ndoshta nga gjithë ky siklet, nga sëmundjet dhe pesha e punës, do shtrihej në krevatin ngjitur dhe do flinte përbri teje.
Të nesërmen në mëngjes, mund të qëllonte që ta zgjoje dhe ta pyesje, a di gjë çfarë ilacesh duhet të pi unë sot, pa qenë i sigurt se edhe ai nuk do të të bëjë ty, të njëjtën pyetje.
E megjithatë Republika e Pleqve nuk është aq e tmerrshme dhe e pajetueshme sa duket.
Republika e Pleqve është një parajsë për natyrën.
Makinat, ndërtimet, pluhuri që del nga gërrmimet, derdhjet e shumta të plastikave në lumenj dhe dete, smogu i fabrikave, gomat e djegura të makinave apo qeset e tmerrshme që groposen pa u tretur, të gjitha këto pra do të pakësohen.
Republika e Pleqve do jetë një vend i pastër, me shumë pak mbetje dhe me shumë pak kazanë plerash. Pleqtë konsumojnë më pak, nuk krijojnë ndotje akustike dhe prandaj kryejnë më pak krime ndaj natyrës.
Në këtë rast, Shqipëria do ishte një vend më i gjelbër, ku shumica e ndërtimeve që kemi sot do jenë mbushur me shkurre dhe bimët kacavjerrëse do ti ngjiten pallateve duke i kthyer ne pemë betoni. Kur të vijë vjeshta dhe gjethet e kësaj bimësije të harbuar të bijen në tokë, Republika e Pleqve do kthehet në një tapet të verdhë.
Çfarë bukurie për sytë e piktorëve dhe fotografëve të mbetur gjallë.
A ka diçka që i lumturon pleqtë më shumë, se sa një tapet i kadifenjtë gjethesh të arta, që zgjatet nga shtëpia deri te spitali e pastaj deri në varreza, tapet mbi të cilin edhe nëse rrëzohesh,kockat nuk thyen dhe brinjët nuk thërrmohen?
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një stinë. Ky nuk është një tapet vjeshte por një tapet i përjetshëm.
Miliona gjethet që do mbulojnë Republikën e Pleqve çdo vjeshtë, nuk do ti pastrojë askush sepse nuk do ketë fuqi, apo sepse pozicioni i pastruesit do jetë zhdukur dhe ky humus që ushqehet nga natyra, gradualisht do mbulojë asfaltet, kalldrëmet, rrugët, rrugicat dhe sheshet derisa pas një farë kohe të kthehet në një llucë të përhershme.
Atëherë me siguri ndonjë poet i mbetur do dalë në ballkonin e tij dhe do recitojë vargjet e famshme, të cilat i kanë sjellë aq dëshpërim dhe izolim këtij vendi duke e kthyer vdekjen në Shqipëri, në një detyrim patriotik.
Ku është balta më e embël se mjalta, në Shqipëri.
Pasi të mbarojë recitimin e këtyre vargjeve që dështuan ta shpëtonin Shqipërinë nga braktisja masive por në fakt bindën gjithë pleqtë se të jetosh në dheun e atdheut nuk është e pamundur, poeti do zbresë shkallët dhe do kalojë nëpër baltë duke u përpjekur të arrijë farmacinë më të afërt.
Nëse do ketë fatin të kthehet nga kjo shëtitje, me siguri do shohë shumë banorë të Republikës së Pleqve që njëlloj si dinosaurët dikur, kanë mbetur në baltë për t’u kthyer në humus edhe vetë.
Republika e Pleqve do jetë një varr masiv pa asnjë varrmihës.
Cfarë vendi!
Por meqë nuk dua t’ju tërheq në këtë rend imagjinar, që është frut i mendjes së një njëriu që fantazinë e përdor gjithmonë për keq dhe udhëtimin në të ardhmen e ka një ushtrim të përditshëm, hapni televizorin dhe shikoni sesi po shkojmë me shpejtësi drejt Republikës së Pleqve.
Udhëtim të Mbarë.