SA I KUSHTON QEVERISE LOBIMI AMERIKAN?

6 Minuta Lexim

Ola Xama

Një ditë më parë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku e shoqëruar nga Ambasadorja Amerikane Yuri Kim vizituan dy anijet që do të prodhojnë energji elektrike pranë Tec-it të Vlorës.
Anijet e vjetra dhe në gjendje shumë të amortizuar u shitën nga ministrja si një “fat” për vendin tonë, pasi kishim qënë kokë më kokë me Gjermaninë në garën se kush do të merrte dy të fundit që kishin mbetur në gjithë rruzullin tokësor.
Sarkazma e talljes shkonte më tej, pasi si argument që kompania Exelerate Energy ishte bindur të sillte këto dy anije këtu dhe jo në Berlin, ishte fakti që pronarët kishin nisur t’a ndienin veten shqiptarë dhe kishin vënë dorën në zemër që ne të mos kishin kufizime të energjisë. Madje kompania e kishte bërë këtë duke humbur para, sepse në Gjermani ia kishin kërkuar me një vlerë “shumë më shumë më të lartë” sipas ministres.
Për të thënë disa të vërteta në dimrin e madh të përrallave:
– Nevoja për konsum vjetor e Gjermanisë është 500 Terravat orë, kurse e Shqipërisë nuk i kalon 8 Terravat orë. Pra, nëse anijet do të shkonin në Gjermani, do të plotësonin vetëm 0.17% të nevojës për konsum! Gjermania ka fikur një pjesë të termocentraleve për shkak të direktivave të BE të vitit 2021 për uljen e çlirimit të karbonit. Standardi i emetimit të karbonit i anijeve është ai i Bankës Botërore për vitin 2017.
– Fatura që do të paguajë Shqipëria për prodhimin e energjisë nga anijet në vitin 2023 dhe 2024 është 336 milion euro, ose 168 milion euro në vit. Vitin e ardhshëm dhe në vitin 2024 energjia mund të jetë me këto çmime të larta si sot, por me shumë gjasë parashikimet janë për një zbutje në 2023-in dhe normalizim në vitin 2024.
– KESH u ngarkua me një vendim të Këshillit të Ministrave që të kryejë një procedurë të kufizuar prokurimi bazuar në shprehje interesi të kompanive, pa publikuar kufi monetar apo fond limit. Njoftimi për shprehje interesi u publikua në buletinin e APP nga data 24 janar deri më 27 janar, ndërkohë që ligji për prokurimin publik detyron që edhe në procedura emergjente shpallja të jetë minimalisht për 10 ditë. Njëra nga kompanitë që shprehu interes nuk u përzgjodh dhe oferta financiare u dorëzua vetëm nga Exelerate Energy dhe Renco.
Me paratë që do të paguhen anijet mund të ishte ndërtuar më shumë se gjysma e hidrocentralit të Skavicës, apo gjatë gjithë këtij viti që u “pritën” të vinin do të ishte ndërtuar një park diellor që të mbetej në pronësi të KESH. P.SH. parku i Voltalias në Karavasta do të kushtojë 100 milion euro dhe ka një fuqi prodhimi 140 MWh, ndërsa anijet e kanë 114 MWh. Me investim më të vogël, mund të fitoje energji më të pastër dhe me efiçencë më të lartë, ose me të njëjtën vlerë mund të ndërtoheshin 3 parqe me fuqi 400 MWh.
Kompania Exelerate Energy u duk në Shqipëri në fillim të vitit 2020 dhe qeveria nisi bashkëpunim me të duke ndryshuar tërësisht strategjinë e furnizimit me gaz të vendit. Nëse më parë në strategjitë që kishin kushtuar miliona euro nga donatorët e BE e ardhmja e energjitike e Shqipërisë ishte gazi i lëngshëm që do të vinte nga TAP, tashmë kur TAP po përfundonte, planifikohej që gazi të vinte me kontenierë nga SHBA . Exelerate bashkë me një firme tjetër të madhe amerikane Exxon Mobil, do të sillnin gazin dhe do të vinin në punë Termocentralin e Vlorës.
Por rrugës u ndryshua edhe marrëveshja. Tashmë plani për të bërë portin lundrues që do të verë në punë Termocentralin e Vlorës është shtyrë për shkak të krizës energjitike, dhe kompania po “shpëton” Shqipërinë duke sjellë dy anije me kosto 336 milion euro, pa llogaritur ndërtimin e infrastrukturës të ankorimit që kushton 2.5 milion euro.
Kjo marrëveshje mund të mos konsiderohej si lobim, nëse në krah të ministers Balluku nuk do të dilte Ambasadorja Amerikane, e cila do të mbështeste tezën se të gjitha vendet ishin “të dëshpëruara për të gjetur anije të tilla” dhe se ishte mjaft “e lumtur që Shqipëria kishte 2 prej tyre”.
Përdorimi i parave të buxhetit për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare patjetër që është i nevojshëm, por duhet bërë në rrugën e duhur. Në rastin e partive ato duhet të deklarojnë donatorin dhe më pas të shihet nëse kontribuesi përfiton nga benefitet kur partia vjen në pushtet. Kur vjen fjala te lobimi i një shteti, mënyra më e mirë është plotësimi i detyrimeve që ke si vend anëtar në NATO, duke arritur plotësimin e kushteve për investime në fushën e mbrojtjes sa 2% të GDP që është detyrimi, apo modernizmin e infrastrukturës të ushtrisë. Prandaj dhe Gjermania nuk i mori anijet, sepse nuk i hynin në punë dhe detyrimet për marrëdhënie ndërkombëtare nuk i plotëson me kontrata sekrete siç bën qeveria shqiptare.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull