Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar sërish në mbështetje të Shqipërisë pas shkëputjeve të marrëdhënieve diplomatike me Iranin.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean Pierre tha se administrata e Joe Biden po punon me vendin tonë për të përforcuar sigurinë kibernetike, gjithashtu komentoi dhe mundësitë e zbatimit të artikullit 5 të NATO-s për të mbrojtur vendet anëtare edhe nga sulmet kibernetike.
“Roli ynë këtu është të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të vënë para përgjegjësisë Iranin dhe të punojmë me Shqipërinë për të përforcuar sigurinë e saj kibernetike, si dhe të fuqizojmë normat e sjelljes së përgjegjshme shtetërore në hapësirën kibernetike.
Kjo është ajo që do të bëjmë dhe do të jemi një aleat ndihmues në atë drejtim. Aleatët në NATO i marrin vetë vendimet e tyre sovrane se si t’i kundërpërgjigjen sulmeve kibernetike, përfshirë nëse do të thërrasin artikullin 5, pasi e di që njerëzit kanë pyetur rreth tij, prandaj kjo i takon aleatëve në NATO.
Ju e dini, ka një proces për këtë. Është një proces i shumëfishtë përpara se ne mund të aktivizojmë Artikullin 5, pra edhe njëherë, kjo është një çështje që aleatët në NATO do ta diskutojnë”, u shpreh Karine Jean Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.