Në një dhomë, që nuk ishte më e madhe se 6X5 metra, dhe ku nuk kishte më shume se 35-40 persona ,Hoxha kishte marrë, me vete, mikrofonin dhe një zmadhues zëri.
Ligjërata e tij ishte me ton të lartë, agresiv dhe me një super bindje në atë që thoshte.
Jo rrallë, atakonte kulturën, traditën, gjuhën dhe qenësinë kombëtare.
Jo rrallë, me bindje të plotë, thërriste për një ecje drejt një kulture, tradite, historie që qonte, hiq më pak, drejt asimilimit kombëtar. Bërtiste sikur të ishte në një tubim parazgjedhore, diku në livadhe ,para më shumë se 1000 personave.
Por, e tëra kjo nuk do të më bënte përshtypje sikur pran tij dhe për rreth tij te mos ishin ulur profesor, inxhinierë, drejtor, e nëpunës tjerë nëpër institucionet e shtetit.
Dhe, nga të gjithë këta, as edhe një fjalë në mbrojtjen e asaj që ne e quajmë, me krenari, çështje kombëtare.
Asnjë reagim, asnjë zë dhe asnjë ofshamë .
Nuk besoja se ka mbërri deri këtu intelektuali shqiptar.
Nuk besoja se ajo po ndodhte në mesin e Kosovës, aty ku ishte bërë luftë, ku ishte derdhur gjak, aty ku ende shiheshin shenjat e plumbave nëpër shtëpitë për rreth.
Ishin të njëjtit të cilët, para se të vinte Hoxha bisedonin për te kaluarën, për historinë dhe për lavdinë e këtyre trojeve.
Ishin të njëjtit që e shurdhuan pipin para hoxhës.
Më vonë mësova se, disa nga ata, ishin edhe vizitorë të rregullt të xhamive, sidomos në faljen e Xhumasë.
U ndjeva keq!
Jo pse ata falen.
Jo pse ata luten.
Jo pse ata kanë bindjet e tyre personale.
Por, për dy fytyrat e tyre dhe për mos guximin intelektual që, as sot nuk e di kush ua ka shurdhu pipin që të mos kenë forcë ti kundërvihen një ligjërate antikombëtare si kjo .
U ndjeva keq sepse, prindërit tanë, analfabet, ishin shumë më të zëshëm, shumë më të vendosur dhe shumë më të ngritur, në çdo aspekt, në ruajtjen e identitetit kombëtar.
U ndjeva keq sepse nisa te frikohem për fatin tënd Kosove !
s.b