Vettingu, 131 punonjës policie u dorëhoqën/ Gledis Nano ngre dyshime e forta

5 Minuta Lexim

Ish kreu i Policisë, Gledis Nano në një letër drejtuar sekrestares së përgjithshmë të Ministrisë së Brendshme Elena Pici, jepte alarmin për problematikat e Vettingut.Sipas tij Vettingu nuk e ndryshon situatën në polici, pasi te treja kriteret hetohen, pasi janë të parashikuara me Ligj.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 12/2018, paraqitën kërkesën për lirim nga Policia e Shtetit 131 punonjës policie, kryesisht me motivacionin “për arsye familjare”.

Pavarësisht motivacionit zyrtar të përdorur, mendohet se të shumtat e këtyre dorëheqjeve kanë ardhur si pasojë e tensionit të lartë të krijuar, lidhur me afatet e plotësimit të dokumenteve të kërkuara, pamundësisë së sigurimit të plotë të dokumenteve justifikues, mungesës së informacionit dhe stafit këshillues, etj”.

Kështu thuhet në letrën e  shkruar nga Gledis Nanos për Ministrinë e Brendshme.

Sipas Nanos, vlen të përmendet se procesi i vetingut ka ecur me ritme të ngadalta dhe një numër shumë i vogël, relativisht rreth 32 punonjës të policisë në nivele të larta drejtuese, kanë përfunduar plotësisht këtë proces.

“Kjo shifër zyrtare brenda një harku kohor të gjatë, si dhe pezullimi i këtij procesi me ligjin 30/2021, cenojnë qëllimin e hartimit dhe miratimit të ligjit.

Procesi i vetingut, është shoqëruar me një kosto të përballuar nga buxheti i shtetit, për anëtarët dhe sekretariatin e KJV për paga, shpenzime, dieta, por edhe kosto shtesë për të gjithë punonjësit e policisë, për të siguruar dokumente në institucione, noterizim të tyre etj.

Referuar largimit të punonjësve të policisë me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 12/2018, GRECO si një organizëm i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e anti-korrupsionit, në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është shprehur se: “vetingu mund të rezultojë në largimin e një numri të madh të stafit të kualifikuar, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve bazë të policis”, shkruan Nano.

Sipas Gledis Nanos, Vetingu në Policinë e Shtetit duhet të shtrihet vetëm në nivelet e larta drejtuese, si drejtor dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm të policisë së shtetit, drejtor departamenti, drejtor i drejtorisë qendrore, drejtor në strukturat e veçanta, drejtor e zëvendësdrejtor në drejtoritë vendore të policisë, drejtor në drejtoritë e kufirit dhe migracionit dhe shef komisariati.

“Funksionet e mësipërme deklarojnë pasurinë me fillimin e detyrës dhe në mënyrë periodike për çdo vit pranë ILDKPKI, institucion i cili ka historikun ndër vite të të gjithë deklarimeve të drejtuesve përsa i përket vlerësimit të pasurisë. Me ligjin e miratuar, dhe nuk ndodhi asgjë më shumë se u krijua një institucion paralel me të, madje me përfaqësues të ILDKPKI. Këtij institucioni duhet t’i delegohet kontrolli i pasurisë edhe në të ardhmen.

Përsa i përket kontrollit të figurës dhe të integritetit, për të gjithë punonjësit e policisë, ka funksionuar një strukturë tjetër në Ministrinë e Brendshem me emrin SHKB, SHÇBA e cila ka investiguar gjatë gjithë viteve në drejtim të punonjësve të policisë. Aktualisht është në proces miratimi i projektligjit për Agjencinë e Mbikqyrjes Policore dhe besoj se ky institucion është i mjaftueshëm për të verifikuar integritetin e punonjësve të policisë edhe në të ardhmen.

Edhe në shtyllën e tretë, të vlerësimit të aftësive profesionale nuk erdhi ndonjë risi. Policia e Shtetit, në bazë të nenit 19 të ligjit nr. 108 /2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, është unike, e centralizuar, e organizuar në nivel qendror dhe vendor. Ajo ka kontrollin vertikal administrativ, të eprorit, i cili për çdo vit në bazë të nenit 48 të ligjit, duhet të vlerësojë punën e çdo vartësi, por ka edhe Drejtorinë e Standardeve Profesionale që verifikon performancën e strukturave dhe të punonjësve të policies”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull