Nga Melanie Amann “Der Spiegel”
Kohët e fundit në luftën e Putinit kundër Ukrainës ka pasur disa pika kthese. Dhe sado e tmerrshme dhe e rrezikshme të jetë kjo luftë, disa pika kthese kanë qenë pozitive, madje edhe inkurajuese: Mbrojtja e suksesshme e Kievit, uniteti i aleatëve perëndimorë në lidhje me çështjen e sanksioneve dhe suksesi i fundit i ofensivës ushtarake ukrainase për të rimarrë territoret e pushtuara.
Por tani vërejmë një pikë kthese, e cila nuk mund të duket pozitive nga asnjë lloj perspektive: aneksimi i parashikueshëm i territoreve ukrainase, dhe mobilizimi i pjesshëm ushtarak nga Rusia. Duket gati e çuditshme, që ta quash këtë hap të Vladimir Putinit si një fazë të re të përshkallëzimit të konfliktit.
Por kjo është situata më kërcënuese për paqen botërore që kur ka nisur kjo luftë. Asnjëherë më parë rreziku i paraqitur nga ky autokrat i armatosur me armë bërthamore nuk është dukur aq i madh sa sot. Gjermania dhe partnerët e saj, po përballen me pyetjen se si të ruajnë premisën kryesore të strategjisë së tyre: synimin për të mos u bërë në asnjë rrethanë palë në këtë luftë.
Por të vazhdohet me ofrimin e gjithë mbështetjes së mundshme për Ukrainën. Deri më tani, sulmet e Putinit janë pritur nga Perëndimi me sanksione kundër Moskës, mbështetje financiare për Kievin, dhe dërgesa të armëve në Ukrainë në një shkallë gjithnjë e më të madhe.
Por si mund të kundërshtohet lëvizja e fundit e Putinit? Çfarë mund të bëhet kundër mobilizimit të qindra mijëra rusëve? Në kushtet kur Moska i konsideron disa pjesë të Ukrainës si një territor rus, betejat që nisi vetë Putin në këto rajone, mund të cilësohet tashmë si një sulm ndaj Rusisë.
Dhe kjo e zhbën iluzionin se Perëndimi nuk e konsideron Putinin si kundërshtar në luftë, pavarësisht dërgesave të armëve në Ukrainë. Pas shpalljes së referendumeve të rreme, aleatët perëndimorë reaguan vetëm me fjalë.
Por e vërteta e hidhur është se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të parandaluar Putinin nga aneksimi de fakto i territoreve të Ukrainës. Perëndimi e lejoi tashmë diçka të tillë që në vitin 2014 në rastin e Krimesë, përveç disa sanksioneve që vendosi.
Asnjë vend perëndimor nuk po e furnizon Ukrainën me tanke moderne luftarake. Dhe tani do të ishte koha më e keqe për ta për ta bërë këtë. Fushëveprimi i sanksioneve është gati i ezuruar.
Dhe nga këndvështrimi i Gjermanisë, të vetmet armë që mungojnë nga arsenali i armëve që janë dërguar në Ukrainë, janë tanket e betejës Leopard dhe mjetet luftarake të këmbësorisë Marder – rreth të cilave është zhvilluar një debat histerik – me shpresën e gabuar se ato mund të përdoren ende për ta ndalur Putinin.
Kancelari Olaf Scholz është kritikuar shumë për lëkundjen dhe hezitimin e tij lidhur me dërgimin e armëve. Dhe sigurisht, që tani do të dërgonte sinjalin e gabuar nëse do të reduktonte apo edhe ndalonte ndihmën e vazhdueshme ushtarake. Por edhe rritja e një ndihme të tillë do të ishte po aq e gabuar.
Në situatën aktuale, maturia dhe vigjilenca janë në rendin e ditës dhe jo një kurs i tipit “tani më shumë se kurrë”. Putin ka paralajmëruar botën se kërcënimi i tij për përdorimin e arsenalit bërthamor nuk është një bllof. Atëherë kush po luan vërtet bllofin?
Presidenti rus po e sfidon Perëndimin që të vendosë mbi tavolinë të gjithë letrat e tij. Thuhet se Uashingtoni e ka paralajmëruar Moskën se përdorimi i armëve taktike bërthamore në Ukrainë, do të kishte pasoja katastrofike për të. Por çfarë pasojash mund të jenë ato?
Çfarë kanë në duart e tyre Gjermania dhe partnerët e saj, kundër një njeriu që mund të mos ngurojë as të sabotojë gazsjellësit e tij në Detin Baltik? Dita kur Perëndimi dhe Putin do të qëndrojnë ballë për ballë për parandalimin, ka të ngjarë të jetë e zymtë.
Ata që përpiqen ta vlerësojnë nga larg rrezikun bërthamor që buron nga Moska, janë të detyruar të mbështeten në psikologjinë (popullore), duke synuar të bëjnë një diagnozë të largët të gjendjes mendore të Putinit. Disa në qeverinë gjermane po e quajnë me tone triumfale Putinin si një burrë që është mbërthyer me shpinë pas murit, “si një mi i bllokuar në një cep”.
Por kjo pikëpamje nuk është ngushëlluese. Ata që bllokohen në një qoshe, kanë më shumë gjasa të sulmojnë. Kjo është pikërisht frika që dëshiron të shkaktojë Putini në Perëndim, në fakt, ajo mund të jetë arma e tij e fundit. Por kjo nuk e bën më pak real kërcënimin bërthamor.
Perëndimi nuk mund që ta injorojë atë, edhe nëse nuk e pranon vetë rrezikun e luftës. Do të ishte mirë që të dinim përgjigjen e kancelarit gjerman ndaj pyetjes ndoshta më të sikletshme në këtë luftë: A është arritur tani pika ku ndryshojnë nevojat e Ukrainës dhe interesat e Perëndimit? Rritja e çmimeve të gazit është një gjë. Por sa larg duhet të shkojë Perëndimi, sipas Olaf Scholz, për të mbrojtur jetën, gjymtyrët dhe sovranitetin e ukrainasve?/ Përktheu: abcnews.al