Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka reaguar për situatën e luftës në Ukrainë dhe për përplasjet Kinë-Tajvan.
Blinken thotë se përdorimi i dronëve nga rusët është një shenjë dëshpërimi. Më tej ai thekson se këto veprime nga Rusia tregon se ushtria ruse po humbet luftën.
“Ne jemi në një pikë kthese”, ka thënë ai.
Kievi u godit nga të ashtuquajturit dron “kamikazë” të hënën nga Rusia, por që besohet se janë të prodhuara në Iran.
SHBA tha se dronët shkelin Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kjo rezolutë, e lidhur me marrëveshjen bërthamore të Iranit, ndalon transferimet iraniane të disa teknologjive ushtarake.
Ukraina i ka identifikuar dronët – ose mjetet ajrore pa pilot (UAV) – si armë iraniane Shahed-136. Ata quhen drone kamikaze sipas pilotëve luftarakë japonezë që kryenin misione vetëvrasëse në Luftën e Dytë Botërore.
“Ne besojmë se këto UAV-të që u transferuan nga Irani në Rusi dhe u përdorën nga Rusia në Ukrainë janë ndër armët që do të mbeten të embargouara nën 2231,” tha Vedant Patel i Departamentit të Shtetit.
Ndërsa Irani mohon t’i furnizojë ato në Rusi, por Patel tha se SHBA “ekspozoi publikisht se Rusia ka marrë dronë nga Irani, se kjo ishte pjesë e planit të Rusisë për të importuar qindra UAV iranianë të llojeve të ndryshme”.
Ai shtoi se kishte “prova të gjera” të përdorimit të tyre nga Rusia në Ukrainë.
Infrastruktura kritike u godit të hënën në rajonet e Kievit, Dnipro dhe Sumy të Ukrainës, me ndërprerjen e energjisë elektrike në qindra qytete dhe fshatra, tha qeveria e Kievit.
Të paktën tetë persona u vranë – katër në Kiev dhe katër në Sumy. Shtetet e Bashkuara thanë se “do ta mbajnë [Rusinë] përgjegjëse për krimet e saj të luftës”.
Ndër të tjera Bliken është shprehur se Kina është duke çuar përpara synimet për bashkim me Tajvanin, ndërsa Pekini ka vendosur që status quo-ja nuk është më e pranueshme.
Në një fjalim të mbajtur të dielën në Kongresin e Partisë Komuniste në Pekin, presidenti kinez, Xi Jinping, ka thënë se nuk heq dorë nga mundësia e përdorimit të forcës.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për bashkim paqësor, mirëpo ne nuk do të premtojnë kurrë heqjen dorë nga përdorimi i forcës”, ka thënë ai.
Tajvani është pika kryesore e përplasjes midis SHBA-së dhe Kinës. Tensionet në rajon kanë mbetur të rritura që kur kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi vizitoi ishullin në gusht, duke e shtyrë Kinën të zhvillojë stërvitje ushtarake dhe të lëshojë raketa në ujërat përreth Tajvanit.
Në fjalët e tij të hënën, të cilat erdhën në një bisedë me ish-sekretaren e shtetit Condoleezza Rice, Blinken përsëriti kritikat ndaj Kinës nën udhëheqjen e Xi, duke thënë se vendi ishte “më represiv brenda” dhe “më agresiv jashtë vendit”.