Dokumenti gjermano-francez për Kosovën

5 Minuta Lexim

Albin Kurti thotë se dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim të krizave. Dialogu duhet të jetë për marrëveshje. Presidenti Vuçiq flet për një dokument gjermano-francez.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se “është optimist që në muajt e ardhshëm do të mund të arrihet një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, marrëveshje kjo ligjërisht obliguese”. Sipas Kurtit, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, është krijuar një qasje e re. Kurti tha se “dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim të krizave, por dialogu duhet të jetë për marrëveshje”. Këto  deklarata, kryeministri i Kosovës i bëri në seminarit të 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s që këtë herë është mbajtur në Prishtinë.

Faza e re e dialogut

“Tani jemi futur në një fazë të re, prej 18 gushtit të këtij viti. Kjo është fazë e re sepse tema e parë në zyrën e Josep Borrell në Bruksel, ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Pra, dialogim për marrëveshje. Tani unë jam shumë më optimist, sepse, krahasuar me të kaluarën, kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit, dhe po shndërronte këtë çështje në motivim për zvarritje të procesit, tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund, por në qendër të marrëveshjes”, tha Kurti.

Vuçiq flet për propozimin gjermano-francez

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha në një konferencë për medie në Beograd se Franca dhe Gjermania kanë paraqitur një dokument me të cilin kërkojnë që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, por pa e njohur pavarësinë e saj. “Pozicioni i Serbisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, sepse Perëndimi po përpiqet të zgjidhë çështjen e Kosovës me anëtarësimin e saj në OKB. Perëndimi mendon se me këtë do t’i marrë argumentet nga duart presidentit rus Vladimir Putin”, tha Vuçiq. Presidenti Vuçiq, tha se propozimi i Gjermanisë dhe Francës është një çështje për të cilën duhet biseduar dhe menduar”.

“Nuk mund ta hidhni nga dritarja propozimin që vjen nga dy nga vendet më të fuqishme, por nuk jam i sigurt që mund ta pranojmë”, tha Vuçiq. Sipas tij, “thelbi i dokumentit është që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”. Serbisë, “do t’i përshpejtohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe do t’i ofroheshin përfitime të rëndësishme ekonomike”, tha Vuçiq. Ai ritheksoi se për Serbinë është e papranueshme që Kosova të jetë në OKB. Autoritetet në Kosovë nuk e konfirmuan ekzistimin e një dokumenti të tillë. Ato thonë  se zgjidhja e vetme është njohja e ndërsjellë.

Angazhimi i këshilltarëve

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidenti i Francës Emmanel Macron, dy muaj më parë angazhuan këshilltarët për politikë të jashtme, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, që të shtyjnë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi me qëllim arritjen e një marrëveshje përfundimtare për përmirësimin e raporteve. Të dytë u bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq që “të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i takuan ndarazi të enjten në Pragë presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe presidentin serb Vuçiq. Presidentja Osmani-Sadriu, tha se për dialogun me Serbinë “ka kërkuar të mbyllet sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë”, ku nuk do të prekej integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Kosovës.

“Para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetin e vendit, kushtetutshmërinë e vendit, dhe parimin e unitaritetit të shtetit. Dhe po ashtu, potencova rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojnë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon”, deklaroi presidentja Osmani-Sadriu pas takimit me Scholz dhe Macron në Pragë të Çekisë.

DW

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull