Partizani “bie” në javën e 10-të të Superiores, me kryeqytetasit të cilët dolën duarbosh nga Rrogozhina, me Egnatian që triumfoi pastër 3-0.
Sfida nisi me Partizanin më kërkues, por nuk ia doli të shfrytëzonte rastet e krijuara përpara portës së Alen Sherrit. Të besuarit e Shpëtim Duros reaguan në mesin e fraksionit të parë, ndërsa gjetën avantazhin e dyfishtë në limitet e pjesës.
Në minutën e parë shtesë, Bitri shkaktoi një penallti pas një prekje të topit me dorë dhe te pika e bardhë u prezantua Fernando i cili u tregua i saktë dhe kaloi Egnatia-n në avantazh në minutën e 45+4′-të.
Dy minuta më pas, rrogozhinasit shfrytëzuan momentin e mirë dhe realizuan golin e dytë me Zejnullai-n, me këtë të fundit që shfrytëzoi një gabim të Bitri-t.
Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar, por vendasit ia dolën shumë mirë për të administruar kronometrin dhe rezultatin, e për më tepër ia dolën të shënonin edhe golin e qetësisë.
Në minutën e 70-të ishte përsëri protagonist Zejnullai, i cili shënoi në portën e kryeqytetasve.
3-0 dhe Egnatia vijon ecurinë pozitive në kampionat, me skuadrën e Shpëtim Duros që prek kuotën e 15-të pikëve në vendin e katërt, ndërsa Partizani regjistroi humbjen e tretë sezonale, por ruan vendin e parë me 19-të pikë, duke bërë një hap pas në nisjen e fazës së dytë.
Tirana lë pas disfatën me Erzenin dhe nis fazën e dytë në mënyrën më të mirë të mundshme, me kampionët e Shqipërisë të cilët triumfuan pastër dhe bindshëm 4-1 përballë Kukësit.
“Bardheblutë” kontrolluan të gjithë sfidën, ndaj një kundërshtari i cili u dorëzua pa kushte.
Të besuarit e Shehi-t kaluan në avantazh në minutën e 42-të me anë të Hasani-t, por avantazhi zgjati pak, pasi në minutën e dytë shtesë (45+2) Basha realizoi golin e barazimit.
Një finalizim që krijoi idenë se takimi u rihap, por ishte vetëm një iluzion, pasi Tirana dominoi jo vetëm në lojë, por edhe në rezultat.
Në minutën e 72-të, qendërmbrojtësi Behiratche realizoi duke kaluar përsëri në avantazh “badheblutë”, ndërsa 9 minuta më pas, Patrick realizoi golin e tretë duke “fundosur” verilindorët.
Për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide mendoi Limaj, i cili përktheu në gol një penallti të fituar nga Patrick në minutën e 87-të.
Një sukses bindës për Tiranën që shkon kështu në kuotën e 18-të pikëve dhe shfrytëzon në maksimum hapin fals të Partizanin, me kampionët të cilët janë vetëm një pikë larg “demave”, ndërsa për Kukësin kjo ishte humbja e dytë radhazi dhe e 5 në këtë sezon dhe mbetet me 11-të pikë në vendin e shtatë.