I VARUR … ?

3 Minuta Lexim

Dom Gjergj Meta

Një nga zhvillimet e jetës tonë shpirtërore është lufta që ne bëjmë me veset dhe vartësitë e ndryshme që secili nga ne ka.
Vetë etimologjia e fjalës vartësi ka të bëjë me diçka që na mban varur në një pikë, të lidhur pas vetes. Të ndenjurit varur do të thotë gjithashtu se ka një forcë rëndese e cila tërheq për kah vetja. Këtu qëndron gjithë problemi: njeriu i varur është i frikësuar që nëse shkëputet nga pika ku qëndron i varur mund të bjerë e të shkërmoqet. Kështu ai kapet pas kësaj vartësie e nuk shkëputet dot prej saj. Poshtë pikës së kapjes duket sikur qëndron gremina dhe frika prej saj bëhet më e madhe se dëshira nga shkëputja. Por sa më shumë njeriu përpiqet të shmangë greminën aq më shumë i shtrëngohet litari në fyt e nëse ai nuk hidhet do të përfundojë i mbytur.
Si dilet nga kjo situatë? Gjëja e parë kërkohet ndihmë duke i bërë zë dikujt që ndodhet afër dhe te i cili/e cila ke besim. Pa këtë besim nuk është i mundur hapi i parë drejt çlirimit.
Së dyti ta lësh veten që të ndihmohesh nga dikush tjetër që njeh mirë dinamikat e vartësisë e për këtë kërkohet ndihma e një eksperti/eksperteje. Në përgjithësi ndihmës i mirë (ekspert i mirëfilltë) është ai që të shoqëron, duke të ndihmuar që të shohësh mundësitë që ke brenda vetes. Nuk duhet dhe nuk shërben për asgjë dikush që të thotë: “Bëj si them unë!”. Kështu ai merr vendin e “të varurit” dhe i heq atij përgjegjësinë e vendimeve.
Një shoqërues i mirë është një mik/mike që bëhet pasqyrë ku ti arrin të shohësh veten nga një këndvështrim tjetër.
Shpesh duhet kohë dhe mund i madh, sepse shkëputja nga një stil jete vartësie të hedh në një greminë të njëmendttë, pasi krijohet një zbrazëti fillestare e frikshme, ku ti prek fundin, por vetëm kështu mund të çohesh sërish, mund të rifillosh një jetë të re e një rrugëtim të ri.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull