Prokuroria e Tiranës ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit pas kallëzimit të bërë nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj.
Në njoftim thuhet se, Prokuroria ka kryer verifikimet përkatëse dhe pavarërisht pretendimeve të Ilir Metës, ka dalë në konkluzionin se nuk janë para rrethana për kryerjen e veprave penale.
Ilir Metaj e bëri këtë kallëzim penal, pasi lajmeve ku pretendohej se ai e ka emrin në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Njoftimi:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur mosfillimin e procedimit penal ndaj Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit për disa vepra penale.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Ilir Metaj dhe materialit të ardhur nga ana e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar kallëzimin penal nr.11409 dt.06.09.2022.
Gjatë kësaj periudhe janë kryer verifikimet përkatëse që parashikon ligji proceduarial penal dhe që lidhen në rastin konkret me marrjen e deklarimeve përkatëse në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit, të antarëve të AIDSSH-së ndaj të cilëve drejtohet ky kallëzim penal.
Kallëzuesi ka paraqitur pretendimin e tij mbi rastin konkret, ashtu sikurse të kallëzuarit kanë parashtruar procedurën e ndjekur në një rast të tillë, por dhe procedurën që duhej të ndiqte kallëzuesi në një rast të tillë, ndonëse nga kallëzuesi është çmuar se veprimet e antarëve të AIDSSH-së janë kryer në kundërshtim me ligjin.
Në vlerësimin tonë, nisur nga çka përmban kallëzimi penal nr.11409 viti 2022 dhe për më tëpër baza ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), bën të mosgjendemi para rrethanave për regjistrimin e procedimit penal, që lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale.
Pra, ekzistojnë rrethana që nuk lejojnë fillimin e procedimit penal, rrethana këto të parashikuara nga neni 290/1 germa “ç“ të K.Pr.Penale.
Sa më sipër, në mbështetje të nenit 291/1/2 të K.Pr.Penale, më datë 21.09.2022 është vendosur mosfillim i procedimit penal.