Kambana e prishur e Elezit si grafomani e Mehmetit

5 Minuta Lexim

Sadik Bejko

Lexova sot në gazetën “Exlibris” shkrimin e gjatë të Mehmet Elezit mbi standardin. Ky zotëri ka shumë botime. Fjalorë, rregulla drejtshkrimi, ese për probleme gjuhësore. Shumë prodhimtari????
Më shumë sesa një zell akademik i fjetur dhe i zbuluar tani në pleqërinë e zotërisë së tij, këto botime i shoh si manifeste të një njeriu dikur me emër të lartësuar në politikë, të një gjerarku të lartë komunist a fashist a monarkist, po të doni, (nuk ka rëndësi ngjyra), pra shenja të një të rëni nga vakti, i cili do të jetë në qendër të vëmendjes përsëri.
Nuk ka asgjë të keqe. Zoti Mehmet Elezi le ta tundë fort e fort këmborën…mbase dikush e dëgjon këngën e vonuar të tij.
Siç e shikoni deri tani, mua më ngjall një ndjenjë parehatie të dëgjoj këngën ndryshe të një ish- Sekretari të Parë të Komitetit Qendror, të një anëtari të Komitetit Qendror të partisë komuniste të Shqipërisë.
Megjithëse mundohem, përpara figurash të tilla më kap ndjenja e neverisë.
Por jemi në liri…ndaj kushdo mund të flasë.
Ai nuk duhet paragjykuar nga që është sot një ish komunist. Edhe ai ka të drejtë ta këndojë këngën sipas kohës, pra sipas avazit “dallandyshe ktheje ndryshe”.
Me kaq sa thashë, unë e shpreha ngarkesën time jo pozitive për gjerarkët ish- komunistë në tërësi, përfshi dhe për zotërinë në fjalë.
Ndaj këto thëniat e mia më poshtë duhet t’i merrni me rezervë. Zotëria shkruan, boton, ka argumentet e tij, ju lexojeni, pastaj më lexoni dhe mua. Po mos prisni një përgjigje shteruese. Nuk e vlen. ..
Ky është thjesht një reagim i shpejtë imi, jo një përgjigje përfundimtare ndaj shkrimit të tij të thatë e të shumë stërgjatë…
Herë- herë kaq revoltuese është ndjesia që të zgjon ky shkrim, sa duhet të ruash etikën. M. E. pyet: si nuk u ftuan shkencëtarët ngadiaspora në Kongresin e Drejtshkrimit, të vitit 1972, si nuk u ftuan Camaj, Pipa, Resuli, Koliqi etj ? Kështu pyet zotëria Mehmet. Është naiv? Kujt ia thotë? Atëherë këta të diasporës ishin armiq të regjimit…që po të vinin këtu, menjëherë i shkonin në hell.
Thotë që Komisia Letrare vuri një standard. Nuk është e vërtet. Komisia nuk pati as kohë dhe as vend. Perandoria Austriake e humbi luftën, u zhduk nga harta e botës. Iku nga Shqipëria…iku dhe Komisia. Më pas elbasanishtja u njoh vetëm si variant gjuhësor i administratës shtetërore. Autorët shkodranë variantin letrar të elbasanishtes nuk e pranuan, me shpoti e quanin “gjuhë mushke”.
As në tekstet shkollore apo ato shkencore nuk u zbatua elbasanishtja. Në Shkodër gramatikat e shqipes ishte gramatika të gegërishtes, në Jug Ilia Dilo Sheperi botonte gramatikë e sintaksë të toskërishtes. Edhe në një libër si “Shkrimtarë Shqiptarë”, tekst shkollor, antologji e redaktuar nga Koliqi, Namik Resuli shkruan toskërisht për Konicën. Gramatikat (Morfologjia, Syntaksa) të elbasanasit Kostaq Cipo janë toskërisht. Të diturit, shkencëtarët e Shqipërisë së kohës shkruanin në dialekt. Edhe letërsia shkruhej në dialekt. Sterio Spasse romanin “Pse?” fillimisht e shkroi elbasanisht, pastaj e botoi toskërisht. Ka artikuj, vepra shkencore të Çabejit toskërisht. Ne nuk arritëm konsensus kombëtar të të diturve për një standard gjuhësor të përbashkët.
Pse zotëria, ish -gjerarku komunist M. E., thotë se ne e kishim një standard?

Edhe sikur ta kishim??? Të linin komunistët?
Ja edhe tjetra gafë që nuk honepset. Komunistët që na e kishin në post shumë të lartë këtë zotin artikullshkrues, gjithçka e fillonin nga e para. Historia fillonte kur kishin ardhur ata në fuqi. Ata ishin alfa dhe omega e gjërave. Bota e re, Koha e re, e ardhmja e ndritur… Në logjikën e tyre…
me ata në krye (edhe me shokun M.E. në krye) edhe gjuha letrare duhet të ishte e re.
Tani…
Tani me mëri kundër standardit mund të flasë edhe një amator shëtitës në gjuhësi. Si zotëria e tij.
Por ai le të thotë çfarë të dojë. Le të bëjë dhe libra. Llafollogji…
Për fat të keq, sot ne nuk kemi më gjuhëtarë akademikë të nivelit Çabej, Xhuvani, Demiraj, Domi, Camaj, Riza…Idriz Ajeti…
Tani na tund këmborën e prishur Mehmet Elezi….me libra, fjalorë.
Grafomania e plakut nuk është gjuhësi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull