Autoritetet në Mal të Zi ia kanë ndaluar hyrjen në territorin malazez diplomatit serb, Vladimir Bozhoviç, me arsyetimin se ai paraqet kërcënim për sigurinë kombëtare.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Bozhovic, i cili përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetin social Instagram, nga pika kufitare në Draçenovc, njoftoi se po pret që t’i dorëzohet vendimi.
Për diplomatin serb, një vendim i tillë paraqet “skandal të paprecedentë, të egër dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Malit të Zi”.
Ai ka deklaruar se do të ankohet për këtë vendim dhe pret që edhe autoritetet në Serbi të reagojnë.
“Sigurisht që do të ankohem për këtë vendim, pres reagimin e Republikës së Serbisë, të kryeministrit dhe të gjithë popullit serb, patriarkut serb dhe kishës sonë, sepse ky nuk është sulm ndaj meje dhe familjes sime”.
Ai thekson se asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të Malit të Zi dhe as se ka marrë ndonjëherë urdhër nga presidenti i Serbisë për të bërë diçka kundër Malit të Zi, autoriteteve apo interesave të tij.
“Kam luftuar për marrëdhëniet më të mira, vëllazërore dhe miqësore mes Malit të Zi dhe Serbisë, që të jemi vëllezërit më të afërt, miqtë, dy anëtarët më të afërt të OKB-së, por fatkeqësisht e gjithë kjo nuk mundi të ndodhte”.
Ndryshe, Vladimir Bozhoviç, në nëntor të vitit 2020, ishte shpallur person i padëshirueshëm në Mal të Zi, teksa ishte ambasador i Beogradit në Podogricë.