Ola Xhama
Unë nuk jam eksperte e fushës hetimore. Po ashtu njohuritë e mia në sektorin e kronikës së zezë nuk janë më të mirat, por pavarësisht kësaj, nga ana logjike nuk ka se si të mos më bëjë përshtypje faktet kontradiktore të prezantuara nga policia në deklaratën disa orëve më parë.
Policia raporton se punonjësit e Policisë kanë ndaluar një qytetar 32-vjeç në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë duke qëndruar pranë një biznesi privat. “Kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e verifikimit” thuhet në deklaratë. Përse duhej të verifikohej i riu? Sepse po rrinte përpara një biznesi? A ka patur ankesa nga ana e biznesit dhe banorëve se ai po i shqetësonte? Çfarë duhet të bëjmë ne qytetarët e tjerë, të mos rrimë përpara një biznesi pas orës 23:00 sepse mund të dyshohemi për kontingjent dhe të verifikohemi?
Policia thotë në deklaratë se i riu nuk është larguar kur i janë afruar policët por kur i është kërkuar dokumenti i identifikimit. Sipas të njëjtës deklaratë, i riu e ka patur me vete kartën e identitetit, çka logjikisht rrëzon nevojën e largimit me vrap. Nëse i riu siç jepet ideja në deklaratën e policisë do të kishte me vete lëndë narkotike, do të kishte ikur me vrap menjëherë.
Nga momenti i ikjes me vrap deri në kapjen e tij nga policët, sipas policisë, janë përshkruar 200 metra. Përse nuk e hodhi qesen që dyshohet se kishte lëndë narkotike, por e gëlltiti?
Në momentin e kapjes punonjësit e policisë kanë qëndruar 7 minuta. Çfarë ka ndodhur 7 minuta? Nëse ti e kap, e fut në makinën e policisë dhe e shoqëron për në komisariat. Kjo nuk zgjat më shumë se 2 minuta proces. Përse 7 minuta? Çfarë ka ndodhur këto 7 minuta?
Sa policë kanë qënë në momentin e ndalimit dhe përse nuk kanë patur të ndezura kamerat për të cilat u shpenzuan mijëra euro?
Çfarë kanë deklaruar shokët e të riut që mbështetin deklaratën e policisë, kur në fillim të deklaratës thuhet se i riu po rrinte vetëm përpara një biznesi dhe iku po vetëm me vrap?
Nëse i riu ka shfaqur shenja të përkeqësuara të shëndetit fizik përse patrulla e policisë e ka çuar në komisariat dhe nuk ka kërkuar ndihmën mjekësore?
Sa është vonuar ambulanca? Përse nuk thuhet në deklaratë? Përse “mjekun” se në cilin spital do të dërgohet e bënë policët?
Spitali i Traumës ka deklaruar se djali kishte mbërritur pa shenja jete, ndërsa policia thotë se ndërroi jetë në spital. Kush gënjen nga këta?
Përse ka patur shenja të prangave në duar? Kishte urdhër arresti që të viheshin prangat? Nëse ka qënë vetëm për shoqërim në komisariat nuk duhet të bëhet prangosje.
Përse bëhet deklaratë e nxituar se është gjetur një qese që mund të mbante lëndë narkotike në stomakun e tij, kur nuk është bërë analiza e materialit që është marrë për ekspertizë në stomak?
Përse jepet nga policia informacion sikur i riu ka qënë i sëmurë epileptik edhe pse kjo nuk provohet nga kartela mjekësore dhe familjarët e tij thonë që nuk ka vuajtuar nga asnjë sëmundje?
Përse nxiton policia t’i veshë akuza për ta bërë përdorues lëndësh narkotike dhe të skeduar për këto vepra kur nuk ka vendim nga gjykata që ai të jetë i dënuar?
Mënyra se si punon sot policia është në nivelin më të ulët që ka qënë ndonjëherë. Jo vetëm që ndodh një ngjarje e rëndë, por nuk lejnë familjen të qetë në ditët e zisë sepse ka vdekur një i ri 32 vjeç, por nxitojnë ta baltosin edhe më shumë viktimën.
Fjala e parë që sot ka një polic është “të arrestoj” dhe pasi prangosin përditë dhjetra njërëz kot, nxitojnë të bëjnë viktimën dhe nxjerrin lajme sikur rrihen policët, kur në fakt ndodh e kundërta. Arrestojnë dhe nxjerrin lajme sikur janë ndaluar persona për konsumim lëndësh narkotike , kur pajisjet e tyre janë të pakolauduara dhe janë rrëzuar shumicën e rasteve nga ekspertiza, por kjo nuk mjafton që sërish të vazhdojnë burgosjen kot dhe nxjerrjen e lajmeve në media për “kriminelët” që kapen ccdo ditë.
Sot policia nuk merret me kriminelët e vërtetë, por merret me ata që nuk kanë forcë përpara saj, sepse kriminelëve u bën shoferin dhe bodigardin.
Dufin e nxjerr pastaj te ai që s’ka faj dhe rri për hall të vet përpara një dyqani.