Pesë vite pasi termi “dosja Steele” hyri në fjalorin politik, një analist që kontribuoi për hulumtimet rreth ish-Presidentit Donald Trump dhe Rusisë do të paraqitet në gjyq të martën për shkak se gënjeu FBI-në për burimet e tij të informacionit. Igor Danchenko është personi i tretë ndaj të cilit po ngre akuza Prokurori i Posaçëm John Durham, i cili u emërua për të hetuar origjinën e hetimeve të vitit 2016 nga FBI-ja për lidhjet me Rusinë të ish-Presidentit Trump. Kjo është gjithashtu çështja e parë hetimore e Prokurorit Durham që thellohet në origjinën e dosjes që ish-Presidenti Trump e ka cilësuar si lajm fals e gjueti politike. Në vazhdim një përmbledhje e asaj që përfaqëson kjo çështje hetimore.
KUSH ËSHTË ZOTI DANCHENKO DHE PËR ÇFARË AKUZOHET?
Zoti Danchenko, një analist rus, ishte burim informacioni për Christopher Steele-in, një ish-agjent britanik që u pagua nga demokratët për të hetuar lidhjet mes Rusisë dhe kandidatit për president Donald Trump. Seria e materialeve kërkimore, ndër të cilat kishte edhe thashetheme vulgare dhe deklarata të pavërtetuara, u bënë të njohura si “dosja Steele”. Megjithëse dosja nuk ndihmoi për fillimin nga FBI-ja të hetimeve për një koordinim të mundshëm mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës presidenciale të zotit Trump, Departamenti i Drejtësisë u mbështet tek kjo dosje kur paraqiti kërkesën dhe mori autorizimin për të monitoruar komunikimet e një ish-këshilltari të fushatës elektorale Trump. Në kuadrin e përpjekjeve për të verifikuar të dhënat e dosjes, FBI-ja intervistoi zotin Danchenko në vitin 2017.
Ai akuzohet se i gënjeu agjentët për burimet e tij të informacionit dhe prokurorët e akuzojnë zotin Danchenko se mashtroi FBI-në duke u përpjekur që kontributet e tij të dukeshin më të besueshme. Prokurorët thonë se zoti Danchenko gënjeu kur FBI-ja e pyeti se si e përftoi informacionin që i dha zotit Steele. Më konkretisht, ata thonë se ai mohoi të jetë mbështetur tek të dhënat e një punonjësi të Partisë Demokrate, Charles Dolan, drejtues për marrëdhëniet me publikun që punoi vullnetarisht për fushatën presidenciale të Hillary Clinton në vitin 2016. Prokurorët gjithashtu thonë se zoti Danchenko gënjeu kur tha se mori informacion nga një telefonatë anonime, që ai beson se u bë nga një person i quajtur Sergei Millian, ish-president i Dhomës Ruso-Amerikane të Tregtisë. Prokurorët thonë se zoti Danchenko e dinte që zoti Millian nuk ishte burimi i ndonjë telefonate anonime.
Akuza thotë se FBI-ja mund të kishte gjykuar më mirë për vërtetësinë e dosjes Steele nëse do ta kishte ditur se një punonjës i Partisë Demokrate ishte burimi i pjesës më të madhe të informacionit.
ÇFARË THONË AVOKATËT MBROJTËS?
Avokatët e zotit Danchenko thonë se çështja e paraqitur nga prokuroria “është një rast i tejkalimit të jashtëzakonshëm të kompetencave të qeverisë”. Ata vënë në dukje se zoti Danchenko ra dakord vullnetarisht për intervista të shumta me FBI-në gjatë vitit 2017. Ata thonë se përgjigjet e tij për FBI-në ishin të gjitha praktikisht të vërteta. Për shembull, një agjent i FBI-së e pyeti zotin Danchenko nëse ai “bisedoi” ndonjëherë me zotin Dolan për informacionin që shfaqej në dosje. Ndërsa prokurorët kanë paraqitur prova që të dy kishin shkëmbyer email-e për temat në dosje, nuk ka asnjë provë që ata të kenë folur gojarisht për këto çështje.
“Ishte një pyetje e keqe,” tha avokati i zotit Danchenko, Stuart Sears, në një seancë paraprake muajin e kaluar. “Ky është problemi i prokurorit të posaçëm. Jo i zotit Danchenko”.
Dhe ndërsa zoti Danchenko tha se besonte se zoti Millian ishte zëri në telefonatën anonime, ai kurrë nuk i tha FBI-së me siguri se ishte zoti Millian. Avokatoi Sears argumentoi se deklarata të tilla të paqarta nuk përmbushin kriteret e nevojshme për t’u dënuar për një akuzë për deklarata të rreme.
ÇFARË RASTE TË TJERA KA PARAQITUR PROKURORI DURHAM?
Zoti Durham ishte prokuror në Konektikat në vitin 2019 kur ai u përzgjodh nga Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm William Barr për të hetuar për shkelje të mundshme nga zyrtarët e qeverisë që bënë hetimin fillestar për Rusinë. Por pas më shumë se tre vjetësh, puna e Prokurorit Durham nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e mbështetësve të ish-Presidentit Trump, të cilët shpresonin se ai do të zbulonte komplote të gjera në FBI për të dëmtuar shanset e kandidatit republikan.
Hetimi ka prodhuar vetëm tre çështje penale. Rasti i parë ishte kundër një juristi të FBI-së, Kevin Clinesmith, i cili u akuzua për modifikimin e një email-i në lidhje me mbikëqyrjen ndaj ish-ndihmësit të fushatës Trump, Carter Page. Çështja përfundoi me pranim fajësie dhe një dënim me kusht – dhe kishte të bënte me shkelje të FBI-së të zbuluara tashmë nga inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë. Vitin e kaluar, ekipi i Prokurorit Durham akuzoi një jurist demokrat se i bëri një deklaratë të rreme zyrtarit kryesor ligjor të FBI-së gjatë një takimi të vitit 2016, në të cilin ai paraqiti informacione rreth një bashkëpunimi të supozuar – dhe përfundimisht të hedhur poshtë – mes një banke ruse dhe organizatës Trump. Çështja kundër avokatit Michael Sussmann, përfundoi me një shfajësim të shpejtë në maj.
Puna e Prokurorit Durham ka vazhduar brenda Departamentit të Drejtësisë të administratës së Presidentit Biden, por gjyqi i zotit Danchenko duket se do të jetë çështja e fundit penale që ekipi i tij do të paraqesë. Nuk është e qartë se kur Prokurori Durham mund të dalë me një raport që do të përmbledhë gjetjet e tij.