Mbase më vonë? Shënime për një shfaqje

5 Minuta Lexim

Dashnor Kokonozi

Para këtyre rreshtave u hodha një sy opinioneve për shfaqjen “Mes çarçafëve” të kanadezes J. Mande me aktoret Yllka Mujo dhe Ermira Hysaj, vënë në skenë nga K. Londo.
Kudo flitej për “shfaqje brilante!” Ndihesh i hutuar dhe tunduar që t’i futësh edhe ti një “brilante” dhe kështu hyn triumfalisht në një zonë konforti, ke sigurinë se je në rregull me të gjithë.
Kam përshtypjen se standardet estetike në Tiranë, tashmë fillojnë me “brilante” e sipër. Mesatarja nuk ekziston. Për me poshtë as që behet fjalë, po qe se nuk do të ndjesh skërmitje dhëmbësh!
Personalisht terma të tillë si “brilante” do t’i përdorja ca me kursim. Jo se shfaqja ne fjale ishte më pak “brilante” se të tjerat. Nuk dua të them këtë. Por kam përshtypjen se shpesh herë “brilantja” kompromenton brilanten, se këtë të fundit e arrin edhe po nuk deshe ti. Shkurt, kam përshtypjen se jemi të dënuar të jemi “brilantë”, çfardo që të ndodhë.
Pa hyrë këtu në përcaktimin apo nuancimin e niveleve të brilantes, nuk ka dyshim se dy aktoret mbesin pjesa më e mirë e kësaj shfaqjeje. Gati pata edhe një përshtypje të largët se loja e tyre vinte nga dy shkolla të ndryshme interpretimi, shprehje larmie zgjidhjesh në perceptimin e roleve.
Yllka i qasej problemit që e ka shtyrë atë ditë të takojë mësuesen e të birit, Terezën, me një lloj distancimi, të themi nga problemi i saj, gjë që më përcillte idenë se kishte ardhur aty për jetën e dikujt tjetër, e jo për të sajën që po i ikte nga duart. Mund të jetë edhe ajo një mënyrë shikimi.
Shpesh kapte anën e majtë të skenës dhe bënte ec e jake me krahët e lidhura. Natyrisht përvoja dhe talenti i Y. Mujos arrin ta kamuflojë këtë mizanskenë disi deja vu.
Partnerja e saj, Ermira Hysaj, që mendoj se rolin e ka ndërtuar me mprehtësi, sa më kujtoi zyshën time, shpesh, për të treguar çastet e saj të vështira dhe ankthin që e pushton nga ajo vizitë jashtë orarit e nënës së një nxënësi, më burrin e së cilës shkon në shtrat, ka gjetur si zgjidhje, heqjen dhe zhveshjen e xhaketës së saj.
Ra shumë në sy.
Puna është se elementë të tillë të njohur e të përdorur me shumicë, kur ia ofron spektatorit, rrezikon disi. Se përsëritej aq shpesh sa thua që me siguri do ta kenë kërcënuar me pushim nga puna, po qe se nuk e bën çdo pesë minuta gjatë gjithë shfaqjes.
Është pjesë delikate dhe kësaj delikatese gjithmonë i bëjnë mirë detaje po aq delikatë, e diskretë, se sa një i vetëm që e shtrydh deri në fund.
Tani dihet roli i muzikës në teatër. Në këtë shfaqje nuk pashë shumë elementë për të komentuar a interpretaur dramën, çastet e saj dramatike apo psikologjike, nëntekse të ndryshme, apo një kthesë të papritur të ngjarjeve. Më ra në sy (më saktë në vesh) që përdorej pa hesap një lloj gongu kinez që e mbaj mend që nga famijënia ime në shfaqjet e Pirro Manit.
Muzika natyrisht, është një element i formës, dhe detaji i mësipërm nuk do të binte shumë në sy po të mos ishte edhe një lloj rrjedhje “drejtëvizore” e shfaqjes, që me sa dukej gongu kinez (supozoj) synonte ta thyente.
Me shpalosjen e subjektit dalin elementë tronditës dramatikë, shihet se dikujt jeta i ka rrjedhur nga duart, pa arritur të kuptojë natyrën e thellë të njeriut me të cilin jeton prej njëzet vjetësh. Këtij zbulimin nuk është se i përgjigjet ritmi i shfaqjes, rritja e tensionit në skenë. Se ajo dramë nuk është aq e pafajshme sa duket.
Në përfundim pyesja veten, si shpjegohet që në këtë Tiranë me gjysmë milioni banorë, në vënien në skenë të dramës së një autoreje bashkëkohore, nuk kishte më shumë se pesëdhjetë spektatorë?
Dikush më tha se mbase fjala do të hapet e do ta kuptojnë më vonë. Mundet. Veçse kam përshtypjen se po bëhen ca si shumë pjesë që pritet të kuptohen më vonë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull