Nga Edmond Arizaj
Pak, ndoshta asnjë, nuk mendon përtej bythës së tij, inatit, apo interesit të ngushtë. Nuk bëhet fjalë për të bërë vezën e Abdyl Frashërit dhe Hasan Prishtinës, që shitën laçkë e plaçkë deri sa dhanë dhe jetën për vendin, por thjesht për të mos folur kur s’ke gjë për të thënë, kur nuk di ça flet, kur bën dëm nëse flet, apo kur urrejtja e mëria të kanë brerë aq shumë përbrenda sa ajo që thua jehon shëmtuar për shkak të boshllëkut që është krijuar në lukth. Kemi dy ngjarje brenda javës.
Njëra, fjalimi i Ramës në Asamblenë e KiE, që për mua me dashjen, apo pa dashjen e Ramës ishte mrekullisht si thirrja e 1878 në xhaminë Bajraklie.
Gjithsesi, vreri shqiptar ndaj Ramës pritej. Por si mund të justifikohet mllefi, ligësia, kënaqësia kanceroze pse Ismail Kadare nuk mori çmimin Nobel, sërish?!
Kaq dritëshkurtër jemi, sa nuk e kuptojmë se ai çmim, nuk i mbetet vetëm Kadaresë, por edhe Shqipërisë!
Kaq vetëshkatërrues jemi sa kërkojmë porsi gaforret që asnjë të mos mundë të dalë nga tenxherja, edhe pse ajo mund të jetë një rrugë për të gjithë të tjerët!
Minimumi, pasi të kalojmë si bagëtia në radhë në krahun “Jo anëtarë të BE”, në pikat doganore, nuk do na shohin vetëm si “nobelistë” të krimit dhe korrupsionit, por edhe si nobelistë të letërsisë.
A mendon kush se nuk do të kemi më një shans të tillë për një çmim të tillë dhe do të mbetemi po aq mediokër sa të vazhdojmë t’i bëjmë qejfin vetes se gjithë emrat potentë të historisë botërore kanë prejardhje hyjnore-shqiptare dhe çdo copë llaçi e gjetur fshatrave është punuar nga katragjyshët pellazgë?!
Kujt i thua?! Turma shqiptare është e gatshme të heqë shpretkën në emër të inatit, zilisë, mllefit dhe…idiotësisë.