Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka firmosur sot disa urdhra për përjashtimin dhe pezullimin e disa efektivëve për shkelje të ndryshme të ligjit dhe vepra korruptive.
Kështu, duke marrë shkas nga publikimet e disa mediave të ndryshme, kreu i policisë vendosi të përjashtojë menjëherë nga radhët e Policisë së Shtetit, komisarin Pashk Syziu, me detyrë Shef i Krimeve i Komisariatit të Policisë Devoll, për shkelje të Kodit të Etikës gjatë përmbushjes së detyrës, pasi është konstatuar në paligjshmëri administrative si dhe ka tejkaluar kompetencat.
Gjithashtu është pezulluar nga detyra, inspektor B. Z., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Forcës së Fosaçme “Shqiponja”, në Dibër, për tejkalim të kompetencave.
-Inspektor P. M., me detyrë Ndihmëskontrollor i Policisë Kufitare, në Portin e Durrësit është zyrtari i radhës nga Policia e Shtetit që pezullohet dhe është transferuar në një detyrë tjetër, pasi ka shkelur atributet dhe kompetencat e punonjësit të Policisë. Bazuar në të dhënat e administruara nga rrjetet sociale, ka akuza se ish-punonjësi i Policisë, ka kryer veprim korruptiv ndaj një shtetaseje, për ta lejuar që të kalojë kufirin.
Nënkomisar G. A., me detyrë Specialist i Shërbimeve Operacionale të Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra dhe është transferuar në një strukturë jashtë qarkut dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndërsa Inspektor A. Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Policisë Kufitare të Durrësit, është pezulluar menjëherë nga detyra, është kryer transferimi pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit siguron qytetarët se është i vendosur për të ndëshkuar me ashpërsi dhe pa kompromis, në zbatim të ligjit, cilindo punonjës policie që do të abuzojë me detyrën.