Komisioni i Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje autoriteteve kufitare të shteteve anëtare që të vendosin kontrolle më të forta sigurie për udhëtarët rusë që paraqiten në pikat e tyre të hyrjes.
KE u ka kërkuar gjithashtu konsullatave të shteteve anëtare në Rusi që të vlerësojnë kushtet në të cilat shtetasve rusë mund t’u lëshohen viza Shengen.
Sipas Komisionit, udhëzimet e përditësuara janë të nevojshme pasi numri i qytetarëve rusë që udhëtojnë në BE është rritur për shkak të përshkallëzimit të luftës Rusi-Ukrainë, duke përfshirë mobilizimin ushtarak dhe “referendumet”.
“Bashkimi Evropian është dhe do të mbetet gjithmonë një vend azili. Por kjo tani është para së gjithash një çështje sigurie: rritja e kontrollit mbi lëshimin e vizave dhe kontrollet e forta kufitare do të sigurojnë që ne të mbrojmë veten dhe unitetin tonë”, u shpreh Zëvendës-Presidenti për Promovimin e Mënyrës sonë Evropiane të Jetesës, Margaritis Schinas.
“Ne po sigurohemi që të kemi një qasje koherente dhe të bashkuar në kufijtë e jashtëm të BE-së kundrejt qytetarëve rusë dhe gjithashtu kur bëhet fjalë për zbatimin e rregullave strikte për lëshimin e vizave me qëndrim të shkurtër për qytetarët rusë. Në të njëjtën kohë, Evropa nuk do të mbyllë derën e saj për ata që kanë nevojë të vërtetë për mbrojtje”, tha ajo.