SHBA dhe BE ultimatum Serbisë! A do të sanksionohet Vuçiqi?

5 Minuta Lexim

Ditë më parë u raportua se Parlamenti Evropian (PE) pritet të kërkojë që vazhdimi i bisedimeve të anëtarësimit mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian (BE) të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve nga Beogradi ndaj Rusisë.

Kjo kërkesë është pjesë e një draft-raporti për strategjinë e zgjerimit të BE-së të përgatitur nga Tonino Piculla, deputet socialdemokrat nga Kroacia, i cili është raportues i PE-së për këtë strategji.

Në disa qarqe të BE-së është shprehur zhgënjim me sjelljen e Serbisë, pasi Beogradi javën e kaluar nënshkroi një marrëveshje për konsultime në fushën e politikës së jashtme me Federatën Ruse.

Për këtë çështje, profesor dr. Enver Bytyçi shprehet se, është koha që përfundimit Serbia të largohet nga politika e Serbisë së madhe.

“Është koha kur përfundimisht Serbisë i duhet të largohet nga politika e Serbisë së Madhe. I duhet të njohë Kosovën dhe të tërheqë Milorad Dodikun nga pozicioni i tij destabilizues në Bosnjë. Por mbi të gjitha i duhet t’i thotë JO presidentit rus, Vladimir Putin. A do ta bëjë këtë Serbia, me qëllim që të anëtarsohet në Bashkimin Europian? A do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe madje në pak ditë ose javën e ardhshme, dmth, menjëherë pas krijimit të kabintetit qeveritar?”, shton ai.

Profesori thotë se, teorikisht Vuçiq heq dorë nga ndarja e Kosovës, deri sa dënon përpjekjet e Kremlinit për ndarjen e Ukainës.

“Por nuk është shprehur ende sa i përket gadishullit të Krimesë. Nëse ai do të shprehet edhe kundër aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, atëherë do të kuptojmë se Vuçiq ka filluar të bëjë një kthesë në politikat e shtetit serb”, pohon ai.

Ndërsa, analsiti politik Gani Qarri thotë se tashmë dihet se BE-ja përfundimisht i ka vendosur Serbisë vitin 2023 si afat përfundimtarë, për nënshkrimin e marrëveshjes me Kosovën, si dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Bashkimi Evropian ka filluar t`ia bëjë me dije, pa maska e ekuivokë dhe më qartë se kurdoherë më parë, Serbisë, Vuçiqit dhe qeverisë në ardhje, se ka ardhur koha që përfundimisht do të detyrohen, ta nënshkruajnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me Kosovën, me njohjen reciproke, në mes të dy vendeve”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ndrësa, sa u takon lidhjeve të Serbisë me Rusinë, BE, jo vetëm që asnjëherë, nuk i ka pritur mirë, por ka reaguar ashpër edhe kundër marrëveshjes së fundit serbo-ruse, duke shprehur pakënaqësinë e saj publikisht, e cila në njërën anë bënë sikur ka interesim dhe angazhohet teorikisht për inkuadrim në BE, kurse në anën tjetër, praktikisht vazhdon kooketimin me Rusinë, edhe tani kur mbarë bota demokratike, ka vendosur sanksione, nga më të ashprat, të njohura deri më tani, kundër Rusisë.

“Serbia nëse nuk reflekton urgjentisht, sa i takon qëndrimit të SHBA-ve dhe Komisionit të Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme, për përfundimin e dialogut me njohje reciproke me Kosovën, si dhe nuk fillon t’i përvetësoj gradualisht politikat e vendeve evropiane të miratuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe sanksionet kundër Rusisë, duhet të ndërpriten të gjitha bisedime për integrim nga BE, me këtë shtet hegjemonist dhe mbështetësja e vetme e Rusisë në rajon, si dhe të largohet përfundimisht si vend kandidat për integrim në BE”, pohon ai.

Ndryshe, edhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim për marrëveshjen, Serbi-Rusi teksa ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se në kohën kur pushtimi i Ukrainës po vazhdon, askush nuk do të duhej “të nënshkruante diçka me Rusinë”.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka vetëm një vit afat që të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën dhe një ditë afat që t’i vendos sanksione Rusisë, menjëherë pasi të formohet qeveria e re me në krye Ana Bërnabiç”, kështu kanë shkruar mediat e Beogradit duke cituar burime diplomatike.

Nëse Serbia nuk është e gatshme të harmonizojë politikat e jashtme me ato të Bashkimit Evropian, atëherë do të përballet me masa kufizuese të BE-së.

“Nëse Bashkimi Evropian vendos për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalimi i fluksit të parave në Serbi, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe më pas vijnë sanksionet”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull