Taulant Balla nxjerr foton dhe pyet: Berisha dhe Meta pse janë hedhur në sulm pas fjalës së Ramës në Strasburg? Kë duan të mbrojnë?

3 Minuta Lexim

Deputeti socialist Taulant Balla ka ndarë një foto të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, të viteve më parë, dhe pyet se përse dy të parët janë hedhur në sulm me sharje e fyerje pas fjalës së Ramës në Strasburg, kundër rezolutës së Dick Marty.

“Sot pyetja që shtrohet është: Ndërsa Shqipëria zyrtarisht përmes Kuvendit dhe Kryeministrit Edi Rama fillojnë përpjekjen për ta pastruar këtë mal të madh balte dhe trillimesh, të denjë për filma horror, Sali Berisha dhe Ilir Meta pse janë hedhur në sulm?! Çfarë dhe cilët duan të mbrojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta? Rezolutën e Dick Martyt? Apo votën e tyre pro saj?-, shkruan Balla.

Shënimi i plotë i deputetit socialist Taulant Balla:

Prej 24 orësh koalicioni Berisha-Meta është hedhur në sulme dhe sharje, edhe pse të paktën duhet të heshtnin, sa kohë që në vitin 2011 e kanë votuar sëbashku PRO Rezolutën 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport (Doc. 12462, datë 7 janar 2011) të Dick Marty.

Shqiptarët duan shpjegime se pse Sali Berisha dhe Ilir Meta votuan PRO, sa kohë ajo Rezolutë kishte zanafillën në një mocion për rezolutë (Dokumenti 11574, datë 15 Prill 2008) të propozuar nga drejtuesi i delegacionit rus Konstantin Kosachev, bazuar në tregime të paverifikuara për filma fiction të Carla Del Ponte.

E kam denoncuar heshtjen e Sali Berishës ndaj dokumentit të hartuar në Moskë, që në verën e vitit 2008.

E kam denoncuar votën pro të Sali Berishës dhe Ilir Metës, për atë Rezolutë skandaloze në vitin 2011 gjithashtu.

Kam denoncuar edhe lidhjet e Partisë Demokratike me financime të paligjshme ruse.

Sot pyetja që shtrohet është: Ndërsa Shqipëria zyrtarisht përmes Kuvendit dhe Kryeministrit Edi Rama fillojnë përpjekjen për ta pastruar këtë mal të madh balte dhe trillimesh, të denjë për filma horror, Sali Berisha dhe Ilir Meta pse janë hedhur në sulm?!

Çfarë dhe cilët duan të mbrojnë Sali Berisha dhe Ilir Meta?

Rezolutën e Dick Martyt? Apo votën e tyre pro saj?

Megjithatë, e djeshmja ishte një ditë e rëndësishme, historike madje, në rrugën e shpalljes si të pabazuara të pretendimeve për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë këtyre 11 viteve, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

Lufta e UÇK ishte luftë e pastër, e drejtë dhe çlirimtare!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull