“Te Makriu,aty ku guri flet”

6 Minuta Lexim

Vangjel Shumeli

Zgjimi i parë në Qafën e Pazarit, zonë e cila si vetë Gjirokastra, simbol ka gurin bëhet me trokitje duke nisur nga një punishte me siperfaqe te vogël por që mbart pafund art,krijimtari dhe pasion duke e kthyer ate ne traditë siç i ka hije qytetit të argjendtë të vendit tonë.
Bën fjalë për galerinë e gurit Makri në të cilën punon Ermali.
Zanatin e gurgdhëndësit e ka të trashëguar nga babai i tij Mjeshtri i njohur Muhedin Makri,i cili ndërroi jetë rreth 2 vite më parë. Mjeshtri Makri e nisi punën fillimisht me metalet në fund të viteve ‘60 dhe më pas iu drejtua gurit pas rënies së sistemit komunist.Që prej asaj periudhe dhe deri në fund të jetës ai ka gdhëndur duke lënë dëshmi të punëve në gur në të gjithë rajonin e Jugut por edhe në Veriun e Greqisë ku emigroi dhe punoi për shumë kohë. Ai ka tërhequr vëmendjen e mijëra vizitorëve ndër vite të cilët fotografonin dhe filmonin në aparatet e tyre punën e palodhur të tij.Siç shprehet Ermali, nevoja për burim jetese dhe finance me ndërrimin e sistemeve i ka nxitur që të merreshin me gurskalitjen,fillimisht e nisën me skalitjen e parmaqeve të portave karakteristike gjirokastrite dhe më pas duke marrë shkas faktin që Gjirokastra identifikohet me gurin dhe ky qytet ka pasur tërheqje nga vizitorët e shumtë që vijnë,menduan që gurin t’a kthenin në suvenir
Mjeshtri Muhedin Makri së bashku me të birin Ermalin çelën në zonën e Pazarit Karakteristik në vitin 2013 punishten aktuale në të cilën gdhëndnin gurin duke e kthyer në suvenir.
Ermali dhe vëllezërit e tij janë frymëzuar prej mjeshtrit që i dha jetë në fillimet e tij pazarit të qytetit te gurte.Për herë të pare daltën dhe cekicin i mori në dorë në kohën e vegjëlisë rreth moshës 14 vjeçare.Vitet në emigracion i shërbyen për perfeksionin e punimeve te tij.Mali sic e therrasin miqtë dhe të afërmit rrëfen mes emocionesh fillesat ne krah me te jatin duke kujtuar ndërkaq këshillat e vyera që ka marrë prej tij duke ia ushqyer më tepër dëshirën për ta ushtruar e kultivuar artin e gurgdhëndjes.
“Babai më ka mësuar sekretin e zanatit.Ai më thoshte pa fantazi nuk ka art të bukur.Ishte i vetmi që e ktheu gurin në suvenir dhe e bëri të flasë e të jehojë anë e mbanë.Duke qënë se kisha dhunti në pikturë ai më ktheu drejt gurgdhëndjes nga taksia ku kam punuar më parë.Ai më thoshte se ti talentin e ke pse mos t’a trashëgosh zanatin tim,me rrjedhën e kohëve fjalët e tij zunë vend tek unë dhe këshillat e tij ende më mungojnë.”
Objektet e gdhendura në gur brënda kësaj punishte janë të panumërta me motive të grumbulluar nga tradita shumëvjeçare e qytetit në gdhëndjen e gurit.Mes këtyre suvenireve dallohen motive që vijnë nga bota floreale,nga kostumet, arkitektura e qytetit,nga rrugët,nga simbolika të ndryshme të reja dhe të vjetra në kohë.Lidhur me keto Mali shprehet se ka shenuar mjaft interes dhe kuriozitet të lartë nga vizitorët e shumtë që vijnë
” ata nga Europa Perëndimore si:Gjermania,Spanja,Norvegjia,Suedia.Si këta te fundit dhe vendas të gjithë janë sy e veshë,të shohin punimet unike plot stil dhe finesë.Jo vetëm ato që kanë mbushur dyqanin, por edhe ato që Mali i gdhënd në moment.
Këtë vit turizmi ka marrë një hov ndryshe në qytetin e gurtë krahasuar me vitet e kaluara si shkak i investimeve të kryera dhe të realizuara në Qafën e Pazarit si dhe çeljes së bujtinave,hoteleve,bareve dhe restoranteve në këtë zonë.Mali thotë se punimet e tij janë marrë prej tyre duke u bërë akoma më atraktive nga ana e turistëve që shijojnë dhe frenkuentojnë destinacionet që ofron një perlë e trashëgimisë kulturore botërore siç është Gjirokastra.
Tradita e gurgdhëndjes tek brezat e reja po shkon drejt zhdukjes dhe vihet re sic rrëfen Ermali një mungesë të ndjeshme të interesit nga ana e tyre.Ai ndërkaq pohon se është koha që artizanati ti rikthehet shkëlqimit të dikurshëm dhe që ky sektor të ketë më tepër mbështetje nga organet kompetente dhe përgjegjëse ku nëpërmjet tyre të krijohen mundësi dhe hapësira që dhe të rinjtë të bëhen pjesë e saj.
“Shikoj ditë pas dite që nga të rinjtë nuk ka fare interes dhe kjo gjë më dhëmb.Duhet dhe mbështetje nga shteti që artizanati të marrë më shumë zhvillim dhe hov në qytete ku tradita është shumë e ndjeshme si Gjirokastra në rastin tonë konkret”.
Gdhëndja e gurit është mes motiveve më origjinale dhe tradicionale të Pazarit të Gjirokastrës.Pa çekiçin dhe pa zhurmën e zejeve e gjithë jeta e pazarit nuk do të kishte kuptim.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull