Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se Edi Rama kërkon sherr me opozitën dhe për këtë arsye me anë të policisë ka refuzuar kërkesën për protestën e 6 dhjetorit.
Berisha tha se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese i ka hequr të drejtën policisë për të lejuar apo jo prostata, por sipas tij kryeministri pretendon se është mbi vendimet e kushtetueses.
Kreu i PD ka thënë se askush nuk mund ta pengojë popullin të mbushë sheshet dhe për ketë arsye, nëse pengohet opozita, atëherë Edi Rama do jetë përgjegjës.
“Unë theksova se ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese qe përjashton kërkesën për leje në protestë.
Por Edi Rama qëndron mbi kushtetutën, pas akumulimit me votë të vjedhur të të gjitha pushteteve në duar. Ai mendon se është ligji dhe Kushtetuta.
Edi Rama kërkon sherr, por unë i them këtu, hiq dorë se në mënyrë absolute që s’ka forcë në botë që e pengon popullin opozitar të mbush bulevardin dëshmorët e kombit, dhe e gjithë përgjegjësia do bie mbi ty”, tha Berisha.
Ish-kryeministri theksoi se tubimi do jetë më i madhi i mbajtur ndonjëherë në vend dhe s’ka forcë që e ndalon.
“Tubimi do të jetë më i madhi që është zhvilluar ndonjëherë në historinë e këtij vendi dhe ju siguroj se s’ka forcë në botë që ndalon mbajtjen e atij tubimi.
Do dëshmojë revoltën e këtyre qytetarëve ndaj një njeriu që ka shndërruar shqiptarë në njerëz të gomoneve, për të dëshmuar revoltën e qytetarëve ndaj një njeriu që po vjedh pronat publike. Po varfëron shqiptarët çdo ditë e më shumë”, shtoi Berisha.