DISA PËRSHTYPJE NGA LARG PËR PANAIRIN E LIBRIT

9 Minuta Lexim

Dan Tuzi

Panairi i librit në Tiranë, ishte vërtetë nji ngjarje me rëndësi të madhe kulturore. Edhe sivjet në media u bë shumë zhurmë, u dhanë çmime e tituj (disa shumë të merituem e disa qesharakë), u promovuan autorë të caktuar, dhe u krijue përshtypja se kjo ngjarje e rëndësishme kulturore asht në qëndër të vëmendjes së njerëzve. Mbas panairit, megjithatë, po dalin e do të përmenden problemet e organizimit, sherret midis autorëve e botuesve, intrigat e pafund të Tiranës, rënia e shitjeve, kriza e botuesve, dhe kriza e lexuesve. Keto janë fenomene të përvitshme dhe njilloj të paadresueme si duhet. Pra, tani që mbaroi panairi i librit duhet të kishin nisur edhe reflektimet, gjykimet dhe kritikat. Mirëpo, me mendësinë katundare, “u krye edhe kjo”, nuk po ka reflektimet e duhura, ose të paktën unë nuk po lexoj gja.
Por, edhe pa informacionin e duhun, dhe nga larg, po hedh këtu ato përshtypje që kam unë si lexues modest. Nga nji anë panairi ishte nji ngjarje impresive kulturore. Me 160 shtëpi botuese nga të gjithë trojet shqiptare, ndër to mjaft stenda, me gati 3000 tituj të rinj nga shteti shqiptar dhe me po aq tituj të rinj nga Kosova, Ilirida, Malësia dhe Diaspora dhe Mergata panairi ishte për disa ditë qëndra e prekshme e jetës kulturore shqiptare. Megjithatë janë disa elemente që duhen vënë në dukje sepse e bejnë këtë veprimtari dis ma të veçantë se herët e tjera.

Nga ana pozitive, së pari, shkëmbimet midis krijuesve e përkthyesve shqiptarë janë njëra anë e spikatun pozitive e panairit. Me mijra krijues, përkthyes e studjues shqiptarë ishin të pranishëm nga e gjithë bota.

Së dyti, vëmendja e publikut libërdashës ishte e dallueshme. Por shumica ishin vizitorë. Tirana ka fuqi blerëse, dhe shumë të ardhur nga jashtë po ashtu e përdorin këtë mundësi për me ble libra me çmime të arsyeshme. Natyrisht, e së treti, edhe botuesit shohin përfitimin e tyre. Në se nuk iu del fitimi nuk do të merrnin pjesë. çmimet e librave nuk janë të lira, as edhe për nji stendë.

Nga ana tjetër, ky panair vuri në pah nji numër problemesh të rëndësishme. Së pari, është problemi i raportit midis numrit të madh të librave të rinj dhe përqindjes së ulët të lexuesve në shtetin shqiptar. Shifra që thotë se 70% e njerëzve s’kanë lexue nji libër vitin e kaluem, e se ma pak se 5% kanë lexue ma shumë se 20 libra në vit e ngushton shumë masën e lexuesve. Me nji treg me rreth 10 milionë lexues potencialë, por ndër të cilët ka nji masë të ndjeshme njerëzish të edukuem që lexojnë rregullisht (sidomos në Kosovë e Iliridë), prapë duhet thënë se libri shqip ka treg dhe ka të ardhme për disa kohë, të paktën jashtë shtetit shqiptar. Blerësit ma të mëdhenj të librave mbesin emigrantët e mirëedukuem dhe me fuqi blerëse dhe shqiptarët jashtë trojeve të shtetit shqiptar.

Së dyti asht çmimi gjithnji e në rritje i librave. Kostoja e shtypjes së librave asht rritë me rreth 60-70% në nji vit. Kjo e ban të vështirë blerjen e librit nga pjesa ma e madhe e lexuesve sepse botuesi nuk i shmanget dot çmimit të tregut. Kush harxhon 5% të rrogës mujore mesatare (15-20 mijë lekë) për nji libër? A mundet nji mësues ta bëjë këtë rregullisht e çdo muaj për të marrë 12 libra në vit? Po nji student? Po pensionistët? Natyrisht që këtu asht edhe nji pengesë e madhe e leximit të librit. Materialet janë të gjitha të importueme dhe libri domosdoshmërisht duhet ti përgjigjet tregut të huaj të letrës dhe pajisjeve.

Së treti, si zakonisht më çuditi raporti jonormal midis përkthimeve dhe krijimeve e studimeve nga autorët shqiptarë. Nji shtëpi botuese e njohur kishte 47 libra këtë vit, e ndër to, vetëm 15 autorë shqiptarë, pra, 30%. Asht nji pikëpyetje e madhe se pse shqiptarët turren me lexue në shqip gjithfarë lëtyrash, libra të verdhë, erotikë apo policorë të huaj shpesh edhe të papërzgjedhun si duhet apo të palektoruem (të parecensuem/redaktuem) si duhet. A asht apo jo kjo nji ikje nga realiteti? Mbivlerësim i të huajve? Dalldia e parelinjve apo shije e lexuesve? Nuk di ta them. Por mesova se nji nga librat ma te shitun ishte nji letyre per seksin midis adoleshenteve ne brezin e tik-tok. natyrisht kjo asht nji shenje jo e mire per kulturen e nalte dhe artistike.

Së katërti, janë disa raporte që duhen marrë seriozisht në konsideratë. Njëri ka të bëjë me raportin e letërsisë serioze që krijohet në Kosovë, Iliridë, e Mërgatë me të që krijohet në Tiranë. Pas asnji mëdyshje duhet me thanë se shumë nga krijuesit që vijnë nga mërgata kanë mundësi me krijue letërsi serioze dhe shumë cilësore. Edhe pse shumë prej tyne janë të lidhun me kulturat nga vijnë ose në të cilat janë shartue me dhjetravjeçarë, prurjet e tyne janë cilësisht ma të realizueme artistikisht (për aq sa lexoj unë) se krijimet e atyre që kanë mbetun në Tiranë. Shumë nga këto krijues nuk janë as të varun ekonomikisht nga sistemi në Tiranë, dhe as të burgosun në mendësinë e ngushtë të Tiranës dhe rretheve të saj të ashtuquajtuna kulturore. Panairi e nxori këtë në pah përmes disa botimeve shumë cilësore të autorëve nga mërgata dhe trojet e tjera.

Raporti tjetër që duhet parë me vëmendje ka të bëjë me oligarkinë botuese. Struktura e botimit të librit asht e tillë që ka shumë botues por pak nga ato që e trajtojnë autorin seriozisht apo që ia respektojnë të drejtat autoriale. Botimi I librave në Tiranë asht krejtësisht I mbështetun në mendësinë ma të ndytë katundare të përfitimit me çdo mënyrë nga autori dhe nga interesi I lexuesve. Se çka botohet e çka nuk botohet vendoset nga njerëz që kanë ba nji investim por që kanë si parësore lekun e jo letërsinë.

Më përtej kësaj marrëdhënie komplekse që ia ka dhënë tonin e frymën letërsisë që përzgjidhet me u botue, gjithnjë sipas parimit “e ha tregu”, duhet parë roli mjeran I shtetit shqiptar dhe I institucioneve që punësojnë shumë njerëz, dhe që kanë nji kontribut mjeran e të vorfën në kulturën shqiptare. Kjo nis që nga Ministria, tek akademitë, qëndrat, etj etj. me qindra të punësuem të merren me librin artistik dhe roli I shtetit vazhdon e mbetet mjeran dhe i dëmshëm. Pasojat e këtyre raporteve janë të tilla që letërsia është gjithnjë në krizë të thellë.

Në përfundim, pyetja që shtrohet është e thjeshtë. A ka nji mendësi të caktueme që prodhon të njëjta fenomene çdo vit, dhe krijon të njëjtën gjendje çdo vit? Asnji gja që përmenda nuk asht e paditun apo e re, mirëpo në Tiranë nuk ka asnji ndryshim nga vitet e mëparshme. Kjo asht shenja ma e qartë e vazhdimësisë dhe e politikave të qëllimta që ndiqen nga oligarkia sunduese. Edhe kjo që ndodh me librin në Shqipëri asht pjesë e këtyre politikave që zbatohen nga institucionet, botuesit, dhe në të cialt edhe autorët shpesh, e me vetëdije, bahen bashkëfajtorë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull