Familje e ngujuar në kryeqytet

3 Minuta Lexim

Çapajev Gjokutaj

Ia arritëm ditës të shohim familje të ngujuar jo në ndonjë kullë malësie, po në kryeqytet. Gjashtë vjet me radhë babai i shtëpisë ka mbajtur të mbyllur gjithë familjen, dmth bashkëshorten dhe dy djemtë e mitur.

E ka arritur këtë duke vënë në punë herë frikësime me covid, herë kërcënime me thikë dhe jo rrallë edhe dhunë fizike. Kur sheh ambjentet e ngujimit ndjen instikivisht nevojën të fërkosh sytë si të ishe ne një ëndërr makth dhe jo në një lagje të kryeqytetit.

Vetëm pas 6 vjetësh komuniteti dhe shërbimet zbuluan mynxyrën. Më mirë vonë se hiç

Lajmi doli dje në media e mori dhenë duke ngritur gishtin e akuzës kundër babait të pashpirt. Si shkak kryesor i këtij veprimi absurd u shpallën pikpamjet e tij radikale. Nën zë dhe në periferi të ndonjë prej raportimeve mediatike, përmendeshin si shkak dytësor edhe probleme të shëndetit mendor të babaziut.

Mbase bëjmë mirë që përpara se të nisim taborret e llafeve në luftë kundër radikalëve e radikalizmave të ndërgjegjësohemi sa dhe si funksionojnë komunitet, shërbimet sociale, shkolla, policimi në komunitet dhe struktura të tjera, nën hundën e të cilëve është realizuar ky ngujim grotesk.

Radikalët e të gjitha ngjyrave, si këta konspiracionistë, ashtu edhe ata fetarë, racistë, etnikë etj. po bëhen përditë e më të rrezikshëm në të gjithë botën dhe, në një masë a në tjetrën, edhe këtu. Por kurrsesi nuk duhet të na shërbejnë si tymues për të fshehur plagë më konkrete që lidhen me funksionimin e shoqërisë e të shtetit.

Mirë që një i sëmurë mendor ia doli të torturojë gjashtë vjet me radhë bashkëshorten dhe dy të mitur, po të afërmit ku ishin, po komuniteti pranë si nuk shihte e as dëgjonte gjë, po shkolla që përgjigjet për arsimin e detyruar ç’bënte, po…?

Në fakt strukturat e shtetit nuk është se kanë qenë fare të munguara në jetën e fatzinjve të ngujuar, janë shfaqur kohë më parë kur u prenë energjinë e papaguar dhe ua bënë jetesën edhe më ferr se ç’e kishin. Shteti që funksionon vetëm për dënime, kurse për të tjerat mbyll sytë e tapos veshët, ngjan të jetë më radikal e më i metë se babai monstër.

( Nga cikli ‘ Labirinthet e marrëzisë’ )

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull