Haruki Murakami – A MUND TË JENË SHKRIMTARËT MIQ?

2 Minuta Lexim
“Kur dëgjoj se dy shkrimtarë janë miq të mirë, prirem të mos e besoj shumë. Sigurisht, mendoj se miqësi të tilla mund të ndodhin, por një miqësi vërtet e ngushtë s’mund të zgjasë shumë. Shkrimtarët janë në thelb një racë egoiste, krenare dhe shumë konkurruese. Vendosi dy prej tyre në të njëjtën dhomë dhe rezultati, më shumë gjasa, do të jetë zhgënjyes. Më besoni, kam qenë shumë herë në një situatë të tillë.
Një shembull i famshëm ishte darka e vitit 1922 në Paris që bëri bashkë Marsel Prustin dhe Xhejms Xhojsin. Ishin ulur afër njëri-tjetrit dhe të gjithë mbajtën frymën për të dëgjuar se çfarë do të thoshin dy personalitete të mëdha të letërsisë së shekullit të 20-të. Megjithatë, në fund pritshmëritë e të gjithëve dolën huq, sepse të rrallë folën me njëri-tjetrin. Mendoj se vetëvlerësimi ishte një pengesë shumë e madhe për t’u kapërcyer nga të dy.
Megjithatë, nëse flasim për qëndrime përjashtuese, për instinktin e ruajtjes së territoreve që kanë bashkësitë e profesioneve të ndryshme, kam përshtypjen se pak prej tyre janë aq bujarë dhe mikpritës sa romancierët. Në të vërtetë, mendoj se ky mund të jetë një nga virtytet e pakta që zotërojnë romancierët”.
Shkëputur nga “Romancierët janë bujarë me shkrimtarët e rinj”, i botuar në ExLibris-in e kësaj jave. Përktheu: Granit Zela

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull