Në mungesë të një artikulimi të drejtëpërdrejtë rreth autorësisë së krimit të fshehur ndaj 22 vjeçares keniane Joyce (Joy) Achieng Aoko, punonjëse në kazinonë “Apex”, që edhe pse kanë shkuar më shumë se tre muaj vijon të qendrojë ende i pazbardhur, i vetmi që e çan perden e misterit është avokati i mirënjohur Idajet Beqiri…
Nga Xhovan SHYTI –
Shtetësja keniane, 22 vjeçare, Joyce (Joy ) Aoko Achieng, punonjëse e kazinosë “Apex” vijon të jetë në kushte të rënduara shëndetësore, e pazgjuar nga koma e thellë, edhe pas kalimit të njëqind ditëve nga rënia në këtë gjëndje. “Nuk ka përmirësim të dukshëm”, thonë burime pranë spitalit të Traumës, ku e reja keniane qendron që prej mesgushtit, nën rregjim izolimi total. Kaq dhe vetëm kaq. Asnjë sqarim të mëtejshëm, asnjë të dhenë më shumë, përveç sugjerimit të çuarjes së saj në një klinikë me të specializuar në Itali. Pasi askush nuk dëshiron të ngatërrohet me këtë ngjarje “të rrezikshme”, sikurse të thonë. Arsye kjo që investigimi meditik për mbledhjen e të dhenave, që mund të hedhin dritë mbi të vërtetën, vërtitet rreth sloganit: “No koment – ngjarje në hetim!”
Të vetmit që nuk e rerspektojnë “kodin e heshtjes” janë burimet konfidenciale me viktimën 22 vjeçare. Sipas tyre Joyce (Joy) Aoko Achieng erdhi në Shqipëri 15 shkurt 2022, me destinacion kazinonë në qendër të Tiranës, ku rezulton e punësuar zyrtarisht, me dokumente të rregullta dhe leje qëndrimi, deri në fund të dhjetorit 2022. Detyra që ushtronte në përditshmëri ishte krupiere. Kështu vijoi deri në 13 gusht 2022, pasi mëngjesin e datës 14 gusht, 30 orë pas denoncimit në Polici të zhdukjes, trupi i saj do të gjendej poshtë ballkonit të një banese me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, pa ndjenja dhe e gjymtuar.
Nga punonjësit e shërbimit ambulator mjekësor, 22 vjeçarja keniane u transportua në urgjencën e QSU “Nënë Tereza”. E prononcuar për rastin mjekja Amarda Arapi u shpreh për mediat se Joy ka mbërritur në spital në gjendje kome, për shkak të hematomave në kokë dhe në trup. Iu nënshtrua intubimit dhe më pas u dërgua në spitalin e Traumës për trajtim më të specializuar. Me këtë transferim nga QSU tek Trauma do të ulej përfundimisht perdja e kësaj ndodhie me element kriminal, që, nga sa del prej ndjekjes së mëtejshme të saj, ishte projektuar të mbetej e panjohur.
Në foto: 22 vjeçarja në trajtim spitalor.
Shkëndinë e parë të prishjes së këtij projektimi e dha “Gofundme”, një faqe e hapur në dt. 11 tetor 2022, që bënte thirrja publike për mbledhje fondesh në ndihmë të një vajze keniane 22 vjeçare. “Gofundme” dhe një shkrim i publikuar i avokat Idajet Beqirit, në faqen e tij në rrjetin facebook, qenë katalizatorët që provokuan përmasën virale mediatike të ngjarjes së rendë të mbajtur në heshtje nga Policia e Shtetit. Përse?
“ Denoncimin e ngjarjes së Xhoit e bëra pasi e ndesha të publikuar në një media gjermane, Asnjë media shqiptare nuk e kishte përmendur. Nuk e kishte raportuar as Policia e Shtetit që e ka detyrim. E përktheva shkrimin nga gjermanishtja dhe aty mësova gjithsa kish ndodhur në 13 gusht. Ajo që më çuditi ishte fakti që kishin kaluar tre muaj dhe askush nuk kishte dijeni për këtë ngjarje kriminale ndaj një personi të huaj”, sqaron Av. Beqiri për të cilin fshehja nga Policia e krimit është e qëllimshme.” Ka një fshehje hermetike të ngjarjes, që për mua ka prapavijë kriminale. Mos raportimi që në ndodhje nga Policia ngre dyshime për këtë prapavijë. Nga sa unë kam investiguar më rezulton se janë gjetur të gjitha mekanizmat që ta bllokonin nxjerrjen e të vërtetës. Bllokimi nis që me mospublikimin e saj nga Policia e Shtetit. Nëse kjo do ta kish raportuar, siç e ka detyrim ligjor, e vërteta do të ish zbuluar dhe sot do të kishim një përgjigje konkrete, nëse kemi të bëjmë me krim apo me vetëhedhje nga ballkoni, sikurse përpiqen ti japin legjitimitet këtij variant, të interesuarit për të fshirë gjurmët e kësaj ngjarjeje të rendë kriminale. Për mua kemi të bëjmë me krim. Fshehja hermetike nga Policia dhe mos-hetimi në kohë, zvarritja nga Prokuroria, më bëjnë ta vlerësoj të tillë. Është e habitëshme si mund të ndodh kjo? Pë rmua gjithçka është e qëllimshme.”
Policia u kujtua të publikoj ngjarjen vetëm pasi z. Beqiri ndezi mediat e portalet shqiptare. Kjo ndodhi kur kishin ikur më shumë se tre muaj, kohë kur asgjë e re nuk ishte sjellë nga fronti i zbulimit të të vërtetës dhe autorëve. Në sqarimin e detyrueshëm Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë komunikonte: ”Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj. Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti”.
Ndonëse pas ndezjes së flakëve mediatike mori revan hetimi nga Prokuroria për shkak të kalimit të shumë kohe, zbulimi i të vërtetës dhe autorësisë vështirësohet, në mos bëhet i pamundur. Lidhur me këtë situatë ish prokurori Eugen Beci vlerësoi:
“Në këtë rast forcat hetimore nuk kanë vepruar si duhet me mbledhjen e provave në vendngjarje pasi nuk kanë marrë telefonat, kamerat e zonës ku u gjet e reja. Këto fakte tregojnë se gjatë hetimeve ka pasur neglizhencë që mund të sjellë mos zbardhjen kurrë të një ngjarjeje të rëndë si kjo.. Metoda e hetimit fillon nga vrasja. Në rast se nga hetimi rezulton që vepra është kryer nga pakujdesia shkohet në veprime të tjera. Këtu është tentativë për të fshehur diçka. Kemi mungesën e marrjes së telefonave dhe të dhënat e tyre. Duhet të kemi kamerat e sigurisë sepse për 60 ditë prishen serverat më të mirë. Nuk kemi përcaktimin e njerëzve që kanë dijeni, të gjitha këto çojnë në neglizhencë dhe mos-zbardhje kurrë të një ngjarjeje të tillë të rëndë…”, artikulon Beci për mediat.
Në akord me heshtjen e Policisë dhe ngadalësinë e lëvizjes së Prokurorisë del të jetë dhe indiferenca e plotë e drejtuesve të kazinosë, që nuk janë prononcuar kurrë për ngjarjen e rendë me pasojë rrezik- marrjen e jetës së punonjëses së tyre, Joyce (Joy ) Aoko Achieng. Heshtjen e kompanisë së punësimit të 22 vjeçares keniane avokat Beqiri e vlerëson si strumbullain rreth të cilit është thurrur gjithë strategjia e fshehjes dhe mosraportimit të ngjarjes nga Policia e Shtetit, por dhe heqjen zvarrë të hetimit nga Prokuroria.
Në foto: Av. Idajet Beqiri.
“ Për mua strategjia e lënies në heshtje të këtij rasti të rendë kriminal është e qëllimshme dhe e kombinuar. Pas këtij injorimi qëndrojnë interesat e administruesit të Kazinosë, Bledar Sinani, që për mua me fshehjen e ngjarjes, del të jetë i inkriminuar. Zyrat e tij dhe vendi ku ka ngjarë krimi janë thuajse ngjitur. Ai e mori vesh ngjarjen i pari, pse nuk e bëri ai problem?! Pse nuk i morri ai i pari masat që atë vajzë, punonjësen e tij, ta çonte në Itali e të mos e lerë vdes këtu? Pyes për të theksuar se fshehja e ngjarjes kriminale ka lidhje me Bledar Sinanin, pasi ai jo vetëm e fshehu por edhe kur u zbulua, nga ana ime, njeri prej portaleve të paguara prej tij nuk e publikoi por ja çoi pronarit të kazinosë, Bledar Sinanit, i cili, në vend të më falenderonte për vënien në dijenie, urdhëroi drejtuesin e portalit të më shantazhonte të nesërmen përse e nxorra. Shantazhimi ishte skandaloz. Me shpifje nga më të rendat që unë të mbyllja gojën. Është rast që tregon se çfarë bëjnë këta lekaxhinjt për tu mbyllur gojën njerëzve që i denoncojnë…”, shpjegoi avokat Beqiri, që pyetjes nëse janë gjetur shenja dhune mbi trupin e 22 vjeçares apo plagët janë pasoj e hedhjes nga ballkoni, i përgjigjet:” Nuk është e vërtetë çka thuhet nga mediat e blera se nuk ka shënja të ushtrimit të dhunës ndaj j Xhoit. Kjo është sajesë me synim për të tërhequr vëmendjen nga e vërteta. Sepse ka shenja dhune të dukëshme”, vlerësoi z. Idajet Beqiri.
“No koment, ngjarje nën hetim”! Nën këtë kreshendo, Prokuroria vijon të hetojë, personeli mjekësor vijon të presë duke shpresuar risjelljes në jetë të 22 vjeçares së huaj, Joyce (Joy ) Aoko Achieng, e ëma, Ruth Aoko pret grumbullimin e 500 mijë eurove, shumës së duhur për ta çuar të bijën për trajtim në një spital më të specializuar në Itali, kurse pjesë të shoqërisë civile vijojnë aksionin për sigurimin e shumës së duhur. Ndërsa media dihet, gjuan për të kapur ndonjë fakt që në mungesë të qënies koshiente të dëshmitare-viktimës kryesore, 22 vjeçares keniane, të zbërthej enigmën: E goditën apo u vetëhodh nga ballkoni? Ndërkohë që kandari anon nga dhunimi dhe hedhja prej lartësisë, natyrshëm lind pyetja tjetër: Kush fshihet pas punonjëses keniane të kazinos “Apex”, që prej më shumë se tre muaj po lufton me vdekjen?