Thirrja e qeverisë për të investuar në bono thesari ka dhënë rezultate pozitive, duke angazhuar shqiptarët në ankandet e datës 25 nëntor. Në ankandin e parë, Banka e Shqipërisë kërkoi 1 miliardë lekë në bono 6-mujore. Kërkesa ishte më e lartë, duke ofruar 1.4miliardë lekë, apo 400 milionë lekë më shumë se shuma e shpallur paraprakisht.
Por kjo nuk ndikoi në uljen e normës së interesit, që arriti në mesatarisht4.64%, nga 4.57% në ankandin e fillimit të nëntorit. Efekti pozitiv u ndje në ankandin e dytë, për bonot 12-mujore. Interesimi ishte dukshëm më i lartë, i shprehur në 35 kërkesa me vlerë 17.1 miliardë lekë të ofruara, nga 7 miliardë lekë të kërkuara.
Konkurrenca ishte më e larta e të paktën dy viteve të fundit, ndërsa interesat e favorshme e shtynë qeverinë të pranonte 11,5 miliardë lekë. Si rezultat norma e interesit për këtë instrument pësoi një rënie të lehtë nga 5.83% në 5.8%. Midis dy ankandeve të së premtes, në total u investuan 12.5 miliardë lekë në bono thesari.
Por sigurisht blerësit më të mëdhenj të borxhit mbeten bankat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, aktualisht vetëm 10.3% e borxhit publik mbahet nga individët, një shifër në rënie të vazhdueshme në 4 vitet e fundit.