Vetëm një ditë pas arritjes së marrëveshjes mes autoriteteve britanike dhe atyre franceze për të luftuar emigracionin e paligjshëm, përmes ngushticës së La Manshit, hyrja e saj në fuqi tashmë është një realitet.
Mediat britanike i kanë kushtuar një artikull, bashkëpunimit mes forcave detare të dy vendeve, që tashmë kanë ndaluar disa varka me emigrantë të paligjshëm që kishin si synim Mbretërinë e Bashkuar.
Lajmi është bazuar në disa transkripte të bisedave të anijeve patrulluese të Francës dhe Britanisë, të siguruara nga një kanal publik radio detar.
Në këto biseda, anijet luftarake franceze dhe ato të rojës bregdetare dëgjohen duke kontaktuar anijet britanike Defender, Hurricane dhe Ranger për të rregulluar dorëzimin e varkave që transportonin emigrantë të ndaluara në det të hapur.
Biseda midis anijeve sugjeron se Marina Franceze po i drejton varkat e emigrantëve nga bregu francez deri në pikën e takimit në mes të kanalit, të cilët do të marrin pasagjerët e paligjshëm për t’i çuar më pas në Dover.
Ky zhvillim vjen vetëm 24 orë pasi sekretarja e Brendshme Suella Braverman ra dakord me homologun francez për një marrëveshje, e cila synon të ndalojë anijet me emigrantë, të cilat vetëm këtë vit kanë sjellë 40.000 persona në Mbretërinë e Bashkuar.