Enver Robelli
Histeria publike e shoqëruar edhe me thirrje për ndëshkim si në epokën e inkuizicionit ndikoi që babai i infermieres nga Peja t’i “kërkojë falje popullit shqiptar” për sjelljen e dënueshme të së bijës. Pse t’i kërkojë falje babai “popullit shqiptar” kur ai s’i ka bërë asgjë “popullit shqiptar” dhe vajza e tij është e moshës së rritur? Sepse kur të përfshinë dhe godet pamëshirshëm histeria e hipokritëve, njerëzit mbështeten për muri dhe nga pafuqia nuk kanë mundësi të reagojnë në mënyrë racionale. Nuk është faji i tyre. Është faji i atyre që pa i mandatuar askush bëhen gjykatës, prokurorë, hetues, kadilerë…
Kur shërbimi sekret ushtarak i “Armatës Popullore të Jugosllavisë” më 3 shtator 1987 e pati inskenuar vrasjen e disa ushtarëve dhe për këtë qe akuzuar rekruti nga Kosova, Aziz Kelmendi, në Kosovë regjimi komunist pati nisur një fushatë histerike për “leçitjen e familjes Kelmendi”. Në edicionet e lajmeve Radio Prishtina njoftonte se cilat familje e kanë leçitur familjen e Aziz Kelmendit. Numëroheshin me emra. Familje pas familjeje. Madje thuhej se kjo po bëhej “duke u bazuar në traditën shqiptare të leçitjes”. Pastaj mediat propagandistike të Beogradit riprodhonin këtë lajm nga “bota ekzotike shqiptare”. Sot histeria kolektive merr hov edhe më lehtë – përmes mediave sociale. Nën ortekun e mllefit të inskenuar duket se çdo gjë është e lejuar.