Qeveria do të ngrejë një regjistër elektronik me të gjitha denoncimet anti-korrupsion. Regjistri do të ngrihet dhe menaxhohet nga njësia anti-korrupsion e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas vendimit të Qeverisë, palë të interesuara për të dhënat që do të ruhen në këtë regjistër janë Prokuroria e Posaçme dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Kjo bazë të dhënash do të ndërveprojë me regjistrin kombëtar të gjendjes civile, portalin unik e-Albania, platformën “Për Shqipërinë që duam” dhe me sisteme të tjera qeveritare.
Qasje në këtë regjistër ka njësi anti-korrupsion dhe rrjeti i koordinatorëve kundër korrupsionit, të cilët mund të ndërhyjnë për të përditësuar informacionin, por për çdo ndërhyrje në regjistër duhet të lihen gjurmë, përfshirë këtu identitetin dhe të dhënat e punonjësit që ndërhyn.
Ky parashikim është përfshirë në vendimin e Qeverisë me objektiv ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave të denoncuesve, që mund të jenë pre e presioneve dhe shantazheve të zyrtarëve, apo institucioneve që denoncojnë.