Pax et bonum, panair

4 Minuta Lexim

Nga EDI LESI

Megjithë marrëzitë dhe kritikat që e shoqërojnë, panairi i librit mbetet një prej ngjarjeve dhe zhvillimeve më të mira në vend, që e ben Tiranën njëmend të duket e bukur për 4 ditë.
Në kohën kur aula të tjera në vend nxijnë e emetojnë negativitet, aty në atë rromujën e botimeve çel e buluron sak e kundërta.
Graviteti atij holli e seksioneve të Pallatit të Kongreseve është dukshëm sipëran ndaj të tjerëve. Mijëra vetë dalin me çantat plot libra e në mos i lexojnë të tërë, përfitojnë prej rrezatimit në rafte a nëpër qoshe. Një autor i madh në biblioteke apo banesë sjell një lloj shenjtërimi mbi të perditshmen profane.
Çdo dekikë, qytetarë të mirë, që ndahen në paqe, si pas një meshe gjigande.
Do të shohim me siguri se si do thyejë rekordin ndonjë krijim jo fort i denjë, se si do jetë shitur në mijëra kopje pa meritë aksh produkt marketingu, po ka panairi instancat që e ruajnë prej këtyre theqafjeve.
Dhe ja ku vjen një lajm, Romeo Çollaku është vlerësuar me çmimin e përkthimit, për librin Varfanjaku i Zotit, i Niko Kazanzaqis.
Si lexues ndihesh sakaq i përkëndellur dhe i shpërblyer.
Jemi gjithnjë në borxh ndaj atyre që shpenzojnë qindra orë mbi letra e na sjellin në një shqipe të pasur e të zhdërvjellët kryeveprat e botës.
Pa punën e tyre, do të ishim sak të mangët, të gjymtuar. Kushedi sa autorë të mëdhenj që kanë shkruar në gjermanisht, frengjisht, spanjisht, italisht, apo greqisht, do të ishin të panjohur për ne, nëse nuk do qene përkthyer mirë. Le të themi se për shkak të shtrirjes masive të anglishtes, kolosët në këtë gjuhë edhe mund t’i kishim takuar disi.
Shqipëruesit cilësorë janë po aq edhe modestë e nuk i kap kamera shpesh. Të padukshëm ngelen ata, edhe pse ti ke gëlltitur me çmimin e një rimbushje telefoni, shumë mund e stres mbi tryezën e netëve të gjata.
Sidomos të atyre që na e sjellin në dorë si një krijesë autentike që na flet në gjuhën tonë, po pas një kujdesi kirurgjikal për të ruajtur genin, shpirtin dhe zemren e origjinalit.
Një transfuzion i madh, i pandalshëm.
Siç është në këtë rast me Romeon që e ka shtrirë këtë operacion në 576 faqet e Varfanjakut të Zotit, një vepër monumentale e Kazanzaqis, për Franceskun e Asizit, predikuesi e aktivisti që ruajti dhe ktheu vlerat e themelit të krishtërimit nga fundi i mesjetës, kur Kisha qe larguar jo pak prej misionit e vlerave parësore.
Një portret i thukët i një asketizmi ekstrem e rikthimit me sakrificë të skajshme tek shpirtërorja, si pasuria më e madhe.
Libër që vjen i bollshëm, që rrjedh nga faqja e parë e deri në fund, pa ngecur e vënë bark, pikërisht prej një zanatçiu të fjalës si Romeo. Çka dallohet dhe tek krijesa tjetër e pashoqe e Kazanzaqis, si Tundimi i Krishtit.
Pax et bonum, panair. Pax et bonum, Romeo.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull