Kryeministri Edi Rama ka ironizuar deklaratat e Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili i bëri thirrje që të shmangë tonet provokuese ndaj qeverisë britanike.
Në një takim në Lushnje, Rama tha se në rastet kur flitet për të mbrojtur interesat e shqiptarëve në raport me ndërkombëtarët, politikanët vendas duhet të jenë bashkë.
Sipas Ramës, sot ekziston ende një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen Shqipërisë si mallkim.
Rama: Ilir Meta del dhe mbron atë ministren britanike, i mbron nga unë. Është nuk e di. Është një lloj faqezezëllëku që i shoqëron shqiptarët që nga viti 1912, është një kategori shqiptarësh që nuk i ndahen këtij vendi si mallkim. Nuk kanë asnjë lloj cipe.
Iliri ka shumë arsye. I ikën mendja e kokës dhe janë në gjendje të bëjnë gjëra nga më të hatashme. Kur vjen puna tek Shqipëria dhe shqiptarët, ne duhet të jemi një. S’kemi arsye pse të jemi të ndarë, fare.
Ne jemi një vend i vogël. Kjo është fatkeqësia, fatmirësia se jemi një vend i vogël. Nuk kemi arsye në botë që kur të ulemi në tryezë me të tjerët, të jemi inferior.
Kur vjen puna tek shqiptarët jashtë, nuk duhet ta zgjidhim në gjuhë të huaj, pse ikin ata. Vëllezërit tanë nuk preken, këtë duhet të themi në gjuhë të huaj.
Sa ka në Londër, çuna që nuk e shohin dot me sy PS-në, sa ka komentatorë në Facebookun tim, nuk lënë asgjë pa thënë. Unë në anglisht jam mbrojtësi i tyre më i madh. Përpara çdo gjëje tjetër, është Shqipëria.