Faqja zyrtare e Parlamentit Evropian u hakerua të mërkurën pasdite, vetëm disa orë pasi eurodeputetët miratuan një rezolutë që e shpall Rusinë “shtet sponsor të terrorizmit”.
“Parlamenti Evropian është nën një sulm të sofistikuar kibernetik. Një grup pro-Kremlinit ka marrë përgjegjësinë,” tha presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.
“Ekspertët tanë të IT-së…po mbrojnë sistemet tona. Kjo pasi ne e shpallëm Rusinë si shtet-sponsor të terrorizmit.”
“Përgjigja ime: #SlavaUkraini,” shtoi Metsola, duke iu referuar sloganit që do të thotë “Lavdi Ukrainës!”
Zëdhënësi kryesor i Parlamentit Evropian tha se ndërprerja ishte për shkak të “niveleve të larta të trafikut të rrjetit të jashtëm”, pa përmendur ndonjë autor të mundshëm.
“Ky trafik është i lidhur me një evente të sulmit DDOS (Distributed Denial of Service)”, shtoi Duch.
Në rezolutën e miratuar të mërkurën, eurodeputetët denoncuan Rusinë për aktet “brutale dhe çnjerëzore” të shkaktuara ndaj Ukrainës dhe qytetarëve të saj që nga fillimi i pushtimit.