S”ka tym të bardhë në Bruksel: Vuçiç-Kurti, katër orë ende pa marrëveshje

3 Minuta Lexim

Në Bruksel është duke vazhduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Fillimisht, Borrell kishte zhvilluar takime të ndara, njëherë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe pastaj me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe më pas, me fillim në orën 10:00 ka nisur takimi trepalësh që akoma nuk ka përfunduar.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.

Shefi i diplomacisë evropian, Josep Borrell, kishte thënë në një konferencë për media se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” duke e konsideruar situatën aktuale të krijuar për targat si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Derisa bisedimet po vazhdojnë në Bruksel, Albanian Post merr vesh se të gjitha Njësitet Speciale Policisë së Kosovës duhet të bëhen gati për të kaluar në Veri të Kosovës.

Nisja do të bëhet nga stacioni më i afërt me Veriun “Belvedere”.

Siç dihet, deri më tani, Njësitet Speciale ishin me rrotacione në pjesën e Veriut, por tani do të zhvendosën krejtësisht atje.

Gjithashtu, nga burime brenda Policisë së Kosovës, Albanian Post kupton se kanë vërejtur afrim në kufirin me Kosovën të xhandarmërisë së Serbisë.

Nuk dihet ende me saktësi nëse urdhri për kalim në Veri ndërlidhet me bisedimet në Bruksel dhe pamundësinë e dy liderëve, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç, që të pajtohen për një zgjidhje rreth çështjes së targave.

Disa media serbe gjatë ditës më herët kanë raportuar se nuk është gjetur gjuhë e përbashkët nga takimet në Bruksel, pasi Vuçiç ka refuzuar një ofertë që i është bërë nga krye-diplomati i BE-së, Jose Borell, derisa Kurti ka refuzuar gjithashtu që të heq dorë nga vendimi për dhënien e gjobave të gjithë atyre që bartin targa ilegale në Veri.

Kurse, zëdhënësi i Levizjes Vetevendosje, Arlind Manxhuka, ka shpërndarë një status të shkurtër në rrjetin social ‘Facebook’ ku shkruan “Me kryeministrin” dhe më pas “RKS”.

Statusi i tij është shpërndarë më pas zyrtarë të tjerë e përkrahës të Qeverisë së Kosovës.

Ky status është nënkuptuar si qëndrim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që po mban në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e targave ilegale që vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull